Qeverinë e Kosovës vazhdimisht e kanë kritikuar për paaftësi, por as subjektet opozitare parlamentare nuk kanë treguar ndonjë aftësi për ta bindur qytetarin e Kosovës
Opozitë shumë e lodhtë. Ky është vlerësimi që ia bëjnë aktivitetit të partive opozitare njohësit e rrethanave politike në vend.
Kanë kaluar një vit dhe PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja nuk po mund të këndellen nga rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021.
Dy partitë e mëdha, gjatë kësaj kohe, kanë mbajtur zgjedhje të brendshme, duke zgjedhur kryetarët e rinj, por ende nuk po mund të ambientohen në rolin e tyre opozitar.
Ato në disa raste kanë mbështetur qëndrimet e pushtetit dhe nuk kanë paraqitur ndonjë alternativë për qytetarët e Kosovës.
Strategjia e tyre për t’i pritur gabimet e kryeministri Albin Kurti po vlerësohet si gabueshme nga analistët politik.
Kjo po i bënë këto parti sikur nuk po duan ta marrin pushtetin.
Analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë për gazetën Nacionale se qasja e opozitës është e gabueshme. “Me e përmbledh më një fjalë, ka qenë opozitë shumë e lodhtë. Qasjen që opozita e ka zgjedhur gjatë këtij viti për mua ka qenë gabim. Qasja e tyre që ta lemë Qeverinë Kurti të dështojë dhe pastaj në kurriz të këtij dështimi të përfitojnë, për mua ka qenë gabim”, ka thënë Mushkolaj.
Sipas tij, në këtë mënyrë po përligjet i gjithë aktiviteti i Qeverisë Kurti.
“Me këtë mënyrë të opozitarizmit, opozita vetëm po e përligj gjithë atë që po e bën qeveria Kurti, qoftë për mirë, qoftë për keq. Nuk kemi parë ndonjë opozitarizem të vërtetë, apo opozitarizem në thelb. Kemi parë më tepër opozitarizem sipërfaqësor, përjashto z. Haradinaj, i cili ka bërë më shumë zhurmë, por jo që domosdoshmërisht ka bërë opozitë të mirë. Ndërsa, PDK-ja dhe LDK-ja lënë shumë për të dëshiruar”, ka thënë ai.
I të njëjtit mendim është edhe analisti Behxhet Shala. Sipas tij, subjektet opozitare janë në një gjumë të thellë.
“Partitë opozitare janë munduar ta luajnë rolin e opozitës. E kam përshtypjen se PDK-ja dhe LDK-ja ikun nga marrja e pushtetit dhe nuk janë të interesuara e as të gatshme ta marrin pushtetin dhe për këtë arsye e kanë gjetur veten në këtë rehati. Ju e dini se edhe PDK-ja, edhe LDK-ja, kanë pasur ndryshime, ku në krye të tyre kanë ardhur udhëheqës të ri, të cilët nuk i kanë dhembet e fort për të kafshuar sikurse i kanë pasur paraardhësit e tyre. Këta po bëjnë gabim duke i dhënë hapësirë Albin Kurtit që të bëj gabime dhe pastaj këta mendojnë që të përfitojnë nga gabimet e Kurtit. Gabimi më i madh i opozitës është se po luan në kartën e antiamerikanzimit të Albin Kurti. Mendoj se Albin Kurti nuk është antiamerikan”, ka thënë Shala.
Kurse, analisti Gazmir Raci ka thënë për gazetën Nacionale se gjatë këtij mandati opozitës i kanë munguar edhe iniciativat legjislative. “Opozita e PDK-së dhe LDK-së ka qenë tejet e dobët. Fillimisht duhet të vihet në dukje fakti se ata asnjë aktivitet opozitar nuk e kanë bashkërenduar. Kanë bërë disa përpjekje të vogla opozitare, por me impakt të pa përfillshem, mendoj unë. Pastaj nuk ka asnjë iniciative legjislative nga ana tyre, nuk ka kritike të mirëfilltë dhe alternativa qeverisëse. Kryesisht opozita e tyre është në statuse në Facebook, që marrin pak like”, ka thënë Raci.
Çka duhet të bëj opozita?
Njohësit e rrethanave politike në vend kanë kërkuar nga subjektet opozitare të ngjallen. Sipas tyre, PDK, LDK dhe AAK duhet ta aktivizojnë aktivitetin opozitar.
“Nëse duan të bëjnë opozitë, të tri partitë opozitare, e kanë mundësinë dhe mbetet që t’i nxjerrin në publik njerëz që i kanë brenda partisë, të cilat mund të jenë ekspert të fushave përkatëse në mënyrë që t’i adresojnë të gjitha lëshimet që mund t’i bëjë qeveria Kurti. Dhe në të njëjtën kohë të japin alternativat e tyre për çështje të caktuar”, ka thënë Mushkolaj.
Sipas tij, koordinimi në mes të këtyre partive është shumë i vështirë. “Për mu nuk është e domosdoshme që ato të bashkohen në një formë opozitare. Besoj se është e nevojshme që opozita të bëjë opozitë të mirë nga pozicionet në të cilat janë. Nëse e shohin të arsyeshëm bashkëpunimin, për çka unë jam skeptik, le bashkëpunojnë. Përtej kësaj duhet që të forcojnë të bërit opozitë nga pozicionet që janë, PDK-ja si parti e parë, e pastaj edhe dy partitë tjera”, ka thënë Mushkolaj.
Ndërsa, Behxhet Shala ka treguar se nëse opozita ka vullnet ka shumë fusha ku mund ta sfidojë kryeministrin Albin Kurtin. “Opozita nuk është aspak e interesuat ta marrë pushtetin. Dhe nëse Albin Kurti nesër e dorëzon pushtetin, opozita nuk do ta pranojë. Ata po bëjnë vetëm një opozitë verbale. PSD-ja po e bënë një opozitë, mirëpo ata të cilën duhet ta luajnë rolin e opozitë, PDK dhe LDK, kanë rënë në gjumë dhe nuk iu bënë përshtypje se çka po bën Kurti dhe sa do të qeverisë ai. Ata gabohen nëse mendojnë se Albin Kurti do ta dorëzoj pushtetin. Ai nuk e qon vendin në zgjedhje. Prandaj, opozita duhet të angazhohet në mënyrë shumë më aktive, jo për ta marrë pushtetin që është qëllim i opozitës, por për ta detyruar qeverinë që të jetë më e përgjegjshme dhe të punojë me tepër’, ka thënë ai.
Analisti Gazmir Raci ka bërë një krahasim mes opozitarizmit aktual dhe atij që ka bërë dikur LV-ja. Sipas tij, PDK-ja dhe LDK-ja nuk po bëjnë as hijen e opozitës që dikur bënte partia që tani është në pushtet. “Kjo ndoshta për faktin se nuk kanë përvojë opozitare, apo edhe sepse kanë qenë shumë gjatë në pushtet. Ndërsa aspekti kyç mendoj unë se perse këto dy subjekte janë kaq të dobëta në opozite është për faktin se kanë keq qeverisur gjatë bashkërisht dhe nuk kanë as kredibilitet e as legjitimitet të kritikojnë apo të thonë se ata do ta bënin më mirë”, ka thënë ai, duke shtuar se partitë opozitare duhet të sjellin profile të reja. “LDK dhe PDK duhet të gjejnë mënyrë për tu distancuar fort me të kaluarën e tyre qeverisëse. Duhet të sjellin profile dhe energji të reja. Liderët e ri duken ende si ushtrues detyre dhe kopje te dobëta të ish-kryetarëve paraprak. Prandaj lidershipi origjinal i tyre duhet të vij në shprehje, publiku ende nuk po i njeh ata për kryetarë e aq mw pak për liderë të opozitës”, ka vlerësuar Raci.
Opozita e pranon se nuk kanë qenë në krye të detyrës
Edhe vet zyrtarët e partive opozitare kanë pranuar se në vitin e parë të këtij mandati kanë mundur të bëjnë më shumë.
Ata kanë thënë se qëllimisht i kanë dhënë pak kohë për ta treguar veten kryeministri Albin Kurti. “Në anën tjetër, ne është dashur të ia japim kohën e duhur Kurtit, sepse ka fituar një mandat të fuqishëm, prej 50 për qind, dhe ne është dashur të ia japim kohen që ta dëshmojë veten. Por, në anën tjetër edhe ne është dashur pak të merremi me veten tonë, sepse ne kemi marrë një goditje jo vetëm me rezultatin zgjedhor”, ka thënë për Nacionalen nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Edhe nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka treguar arsyet se pse nuk e kanë ngucur shumë Qeverinë.
Sipas tij, pas vitit të parë të këtij mandati, do të ndryshojë edhe aktiviteti i kësaj partie ndaj qeverisë aktuale. “Tani kanë kaluar një vit dhe ne nuk kemi qenë keq, por nuk e mohojmë që tani e tutje do të jemi edhe më të mirë në mbrojtje të interesave shtetëror e të qytetarëve”, ka thënë Lekaj për Nacionalen.
Paaftësia e opozitës në këtë mandat i ka rënë sy edhe kryeministrin Albin Kurti.
Në një seancë parlamentare, Kuri kishte thënë se rreziku më i madh për Qeverinë e tij është mungesa e kritikës. “Më lejoni t’ju them që unë këtu shoh një lloj paaftësie për të na bërë kritikë, dhe rreziku më i madh për Qeverinë është mungesa e kritikes, ne nuk kemi rrezik tjetër. Ne kemi problem të madh me juve se jeni të paaftë me ba kritikë. Ne nuk po shohim e as nuk po e dëgjojmë kritikën e opozitës”, ka thënë Kurti.
Në vitin e parë të këtij mandati tri partitë opozitare nuk kanë pasur ndonjë koordinim në mes veti. Liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së asnjëherë nuk janë takuar për ta koordinuar aktivitetin e tyre opozitare. Këto parti janë pajtuar vetëm kur kanë dashur t’i mbledhin nënshkrimet për ndonjë seancë të jashtëzakonshme parlamentare./Nacionale