Çdo politikë e Qeverisë së Kosovës e paplanifikuar me saktësi, sidomos kur në pyetje janë komuniteti serb, mund të keqpërdoret nga shteti i Serbisë dhe presidenti i saj, Aleksandër Vuçiq, që dikur drejtonte propagandën e Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit.
E tillë është edhe tema për Rregulloren e BQK-së për kufizimin e përdorimit të valutave të huaja, përfshirë Dinarin serb, e cila ishte një temë që papritmas i shërbeu propagandës së vazhdueshme të shtetit të Serbisë se komuniteti serb në Kosovë është i pambrojtur.
Kjo është një akuzë e rëndë propagandstike e shtetit të Serbisë, e pambështetur në fakte dhe në teren, pasi komuniteti serb gëzon të drejta të mëdha në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës dhe qeverisë me 10 komuna.
Megjithkëtë, njeriu që dikur me anë të propagandës mohonte masakrat që ushtria e Serbisë kryente ndaj shqiptarëve të Kosovës, është në gjendje që edhe situatat e tilla që nuk drejtohen kundër asnjë komuniteti, por i shërbejnë kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, t’i keqërdorë në dobi të propagandës shtetërore të Serbisë kundër Republikës së Kosovës.
Këto situata, mund të keqpërdoren edhe për pozicionim dhe maksimalizim të kërkesave të Serbisë në dialogun me Kosovën që po zhvillohet në Bruksel dhe që tani ka hyrë në fazën përfundimtare të tij.
“TASH E TUTJE, ZOTOHEMI…” – SQARIMET E VONUARA TË KURTIT
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është vonuar me sqarimet e tij për çështjen e Dinarit të Serbisë, duke lejuar që kjo çështje të bëhet temë e kryeqendrave të politikës, Uashingtonit dhe Brukselit.
Reagimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve të fuqishme të Bashkimit Evropian nuk kanë mbështetur Qeverinë Kurti, të cilës i kanë tërhequr vërejtjen seriozisht se kjo mund të duket si një politikë kundër komunitetit serb që mund të nxisë tensione ndëretnike, derisa kanë kërkuar që të shtyhet zbatimi i Rregullores së BQK-së, e cila hyri në fuqi më 1 shkurt 2024.
Ndonëse çështja e “Dinarit” filloi të bëhej temë nga mesi i muajit janar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte kohë të mjaftueshme për të bërë sqarimet e nevojshme, megjithkëtë, ai ishte i zënë duke kalkuluar për përfitime elektorale dhe nuk ndërmori masat që kjo të mos shndërrohej në një temë politike e etnike.
Vetëm më 6 shkurt 2024, rreth orës 21, Kurti ka paraqitur qëndrimin e tij, i cili përmbante më shumë informata se “kjo rregullore nuk targeton Dinarin e Serbisë”.
Sqarimi i plotë i Kurtit:
Por, ajo që bie në sy në sqarimin e Kurtit është pranimi nga ana e tij se Qeveria që ai drejton dështoi me qasjen për “Dinarin” e Serbisë. Sipas Kurtit, “kjo çështje mund të ishte më e qartë, për të shmangur konfuzion”.
Në sqarimet e tij, Kurti shfaqet aspak serioz derisa shkruan se “tash e tutje, zotohemi po ashtu që të promovojmë fushata të komunikimit që adresojnë këto çështje me ndjeshmërinë që e meritojnë”.
“Ne e kuptojmë se mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë, për të shmangur konfuzion. Megjithëse rregullorja hyri në fuqi më 1 shkurt, e kuptojmë se një periudhë tranzicioni është e nevojshme. Gjatë këtij muaji, do të sigurohemi që të japim të gjitha informacionet dhe të gjithë ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur. Tash e tutje, zotohemi po ashtu që të promovojmë fushata të komunikimit që adresojnë këto çështje me ndjeshmërinë që e meritojnë”, thuhet në deklaratën e Kurtit.
PROPAGANDAT E ISH-MINISTRIT TË MILLOSHEVIQIT
Ndonëse Rregullorja e BQK-së, nuk e përmend askund Dinarin e Serbisë, por vetëm tregon se Euro është valutë zyrtare në Republikën e Kosovës dhe se si mund të përdoren valutat jo-Euro, Aleksandër Vuçiq, ish-ministri i propagandës së Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit, ka shfrytëzuar këtë moment për të thelluar më tej propagadën e shtetit të Serbisë.
Vuçiq ka tjetërsuar qëllimin e Rregullores së BQK-së, duke e paraqitur atë si një vendim me iniciativën e kryeministrit Kurti.
“Fatkeqësisht, Albin Kurti e ka marrë atë vendim me iniciativën e tij, me qëllimin e mëposhtëm: spastrim etnik të popullit serb nga territori i Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Vuçiq më 2 shkurt 2024.
Kjo nuk është hera e parë që vendimet e institucioneve të Republikës së Kosovës, të shoqërohen me propaganda të ndryshme nga shteti i Serbisë dhe personalisht presidenti i saj, Aleksandër Vuçiq, duke i ndërlidhur me qëllime etnike. / Demokracia.com /