Taksitë ilegal, priten gjoba më të mëdha e konfiskim të automjeteve për kohë më të gjatë

- in Lajme

Inspektorati i Prishtinës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në katër javët e fundit, kanë shqiptuar rreth 200 gjoba të taksit ilegal. Ndërkaq, përgjatë katër muajve të fundit, kanë shqiptuar rreth 500 gjoba.

Sa i përket shumës së gjobave të cilat variojnë nga 50 deri në 500 euro, drejtori i Inspektoratit të Prishtinës, Florian Dushi, shpreson që të ketë ndryshime në legjislacion dhe gjobat për këtë lloj veprimtarie ilegale të ashpërsohen akoma më shumë.

Dushi për KosovaPress-in, ka thënë se gjobat janë shqiptuar ndaj taxi-ve të rregullt por pa leje të punës, autobusë që shpeshherë nuk respektojnë orarin e tyre dhe hyn nëpër qendër të qytetit për të arritur në destinacionet e tyre më lehtë, kombi-busa dhe gjithçka që inspektorati konsideron se janë duke funksionuar pa lejen e organeve kompetente të kryeqytetit.

“Këto katër javët e fundit janë mbi 200 gjoba të cilat janë shqiptuar për arsye të ndryshme, për taxi të rregullt por pa leje të punës, të cilëve u ka skaduar apo akoma nuk janë pajisur, por si kompani kanë licencë për të vepruar, kemi taxi ilegal që veprojnë gjithandej në kryeqytet edhe nga komunat e tjera përreth dhe të cilët me thënë të drejtë shkaktojnë mjaft probleme të mëdha në mbarëvajtjen e komunikacionit në kryeqytet, për autobusë të cilët shpeshherë nuk respektojnë orarin e tyre, por futen nëpër qendër të qytetit, për të arritur në destinacionet e tyre më lehtë, dhe për taxi të tjerë të cilët funksionojnë, kombi-busë”, ka thënë Dushi.

Sipas tij, inflacioni ka përfshirë edhe këto gjoba, prandaj duket si të mos jenë të efektshme, për faktin se pavarësisht që inspektorati po shqipton gjoba, taxit ilegale, kombi-busët dhe autobusët po vazhdojnë veprimtarinë e tyre ilegale.

“Inflacioni ka përfshirë edhe këto gjoba dhe prandaj po duken të mos jenë mjaftueshëm të efektshme për faktin se pavarësisht që ne po shqiptojmë gjoba, ata po vazhdojnë veprimtarinë e tyre. Në anën tjetër, gjobat e pamjaftueshme dhe kapacitetet e pamjaftueshme të inspektoratit për të qenë vazhdimisht në teren, po e mundësojnë që megjithatë ata gjejnë hapësirë të veprojnë dhe të ushtrojnë veprimtarinë e tyre ilegale”, është shprehur ai.

 

 

Ai ka shtuar se është në fazën e diskutimeve edhe konfiskimi i mjeteve, çoftë autobus, vetura apo kombi-busë për një periudhë më të gjatë kohore, e cila do të ndikojë pozitivisht në vënien në rend të kësaj problematike.

“Variojnë varësisht nga natyra e shkeljes, nga 50 deri në 500 euro, ka gjoba të cilat shqiptohen, konfiskohen targat për një periudhë të caktuar të shkurtët kohore. Megjithatë jemi duke shpresuar edhe në disa ndryshime të cilat janë duke ndodhur në legjislacionin në fuqi, ku parashihen që gjobat për këto lloj veprimtarie ilegale të ashpërsohen akoma më shumë..3:24 Parashihet madje edhe konfiskimi i mjeteve, çoftë autobusëve, veturave ose kombi-busëve për një periudhë më të gjatë kohore. Edhe ngritja e gjobave do të ndikojë pozitivisht në vënien në rend të kësaj problematike”, ka shtuar Dushi./Demokracia