Pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente ka ardhur reagimin i parë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri nëpërmjet një shkrimi në “facebook” ka shkruar se zyrtarisht Kosova u bë me një president por edhe me një autokrat i cili në 24 orët e fundit nuk la shantazh e pazar pa bërë vetëm që t’i sigurojë votat e turpit. Madje theksohet se kjo nuk është fitore e demokracisë por grabitje e shtetit nga pushteti autoritar i Albin Kurti.
“Institucioni u bë zyrtarisht me president, por edhe Kosova u bë zyrtarisht me një autokrat, i cili në 24 orët e fundit nuk la shantazh, shitblerje, aranzhim e pazar pa bërë që t’i sigurojë votat e turpit, për të nënshtruar pozitën më të lartë të shtetit, duke e vënë në krye të saj Vjosa Osmanin. Procesi, ngjarja dhe personi që kulmoi sot, kanë të përbashkët si produkt një presidente të padenjë, të varur, përçarëse dhe spektatore e rrënimit të demokracisë së vendit tonë. Kjo nuk është fitore e demokracisë. Është grabitje e shtetit nga pushteti autoritar i Albin Kurtit. Prandaj Partia Demokratike e Kosovës do i qëndrojë përballë e në çdo hap, këtij rreziku të hapur ndaj lirisë dhe rendit tonë kushtetues”, ka shkruar Tahiri. /KP