Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar të martën Raportin e Progresit – të përpiluar nga Komisioni Evropian – për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.
Kurti ka pranuar raportin në një takim që ka pasur me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë në konferencë për media se Kosova duhet të arrijë rezultate të prekshme në fushën e sundimit të ligjit, në luftën kundër korrupsionit, reforma në administratë e tjera.
Ai ka thënë se nuk ka rrugë të shkurtër drejt BE-së.
“Përparim i limitur është parë në sistemin gjyqësor. Sfidë mbeten reformat administrave, të cilat janë të cenueshme nga ndikimet politike”, ka thënë Szunyog.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se duhet zbatuar gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në Bruksel, përfshirë edhe ajo për formimin e Asociacionit.
“I takon Prishtinës të gjejë mënyrën se si duhet të zbatohet marrëveshja e Asociacionit. Natyrisht jemi në dijeni edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese [të Kosovës]”, deklaroi tutje Tomas Szunyog.