SVEÇLA:POLICIA E KOSOVËS, PO KRYEN DETYRAT ME PËRGJEGJËSI TË LARTË

- in Lajme

Me rastin e Ditës së Policisë së Kosovës , Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, ka vlerësuar lartë Policinë e Kosovës.

 

Ai tha se Policia e Kosovës, po kryen detyrat e saj me përgjegjësi të lartë.

“Policia e Kosovës po kryen me krenari detyrën, edhe qytetarët e vendit po vlerësojnë lartë Policinë”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Ai tha se duhet zhvilluar Policinë në komunitet.

​Sveçla për gjobat antiCOVID-19: Masat duhet të zbatohen nga të gjithë, dënimet nuk po bëhen për inate

Me të hyrë në fuqi masat e reja antiCOVID-19, filluan edhe gjobat për qytetarët të cilët nuk respektuan masat e Qeverisë së Kosovës.

Thuajse për çdo ditë policia ka shqiptuar mbi 4 mijë gjoba.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla thotë se shqiptimi i gjobave po bëhet për në përputhje me ligjin e jo për inate e as për të mbledhur dënimin si formë monetare.

Svecla në emisionin e mëngjesit në Radio Televizionin e Kosovës, theksoi se masat duhet të zbatohen nga të gjithë, pa përjashtim.

“I kuptoj disa tendenca për me deviju qoftë debatin apo qëllimin e mirë të institucioneve dhe policisë së Kosovës. Urdhri është jashtëzakonisht i qartë. Masat duhet të zbatohet nga të gjithë, nuk ka asnjë përjashtim. Nuk është që Policia e Kosovës e dënon këtë popull apo këtë shoqëri siç kanë dashtë disa ta prezantojnë. Policia e Kosovës është duke marrë masa në mënyrë që të sjellim një situatë tjetër ku zbatohen këto kërkesa e të cilat do ta mbronin qytetarin e këtij vendi. Nëse një qytetar ndëshkohet sepse e ka bërë një shkelje me atë ndëshkim ne sjellim edhe vetëdijesim të tij por edhe një pasqyrim për të tjerët në mënyrë që të mbrohet populli ynë. Dënimi i dikujt nuk po bëhet përshkak të dënojmë dikë as për inat e as për të mbledhur atë dënimin si formë monetare. Jo, jo, kjo po bëhet në mënyrë që të respektohen masat të cilat shkencërisht janë dëshmi që sjellin zbritjen e infektimeve me këtë edhe mbrojtjen e jetës së qytetarit tonë dhe kjo nuk është e vetmja masë”, tha Sveçla.

Ndryshe më 6 shtator 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij Shërbimi filloi trajnimin në këtë qendër më 6 shtator 1999. Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij shërbimi.