Gjykata Supreme ka refuzuar ankesat e partive politike jo serbe dhe Vetëvendosjes. Kështu ka njoftuar Gjykata Supreme nëpërmjet një komunikate për media.
Në komunikatë thuhet se “Katër ankesa janë shqyrtuar në një vendim të vetëm, përkatësisht ankesat e subjekteve politike; Romani Iniciativa (AA.nr29/2021), Partia Liberale Egjiptiane dhe Partia e Ashkalive për Integrim (AA.nr.35/2021) dhe Lëvizja Përparimtare e Romeve të Kosovës (AA.nr.36/2021), të paraqitura kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) A.nr.736/2021 të dt.07.03.2021, dhe ankesës së dytë, e pranuar sot, e subjektit politik Romani Iniciativa (AA.nr.39/2021), e paraqitur kundër vendimit plotësues të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa A.nr.736/2021, datës 10.03.2021. Me aktgjykimin AA.nr.29/2021 është vendosur që këto ankesa të refuzohen si të pabazuara”.
Edhe ankesa e subjektit politik politik Ujedinjena Zajednica-Adrijana Hodzic dhe ankesa e subjektit politik Social Demokratska-UNIJA SDU të paraqitura kundër vendit të PZAP janë refuzuar si të pabazuara.
“Dy ankesa janë shqyrtuar në një vendim të vetëm, përkatësisht ankesa e subjektit politik Ujedinjena Zajednica-Adrijana Hodzic dhe ankesa e subjektit politik Social Demokratska-UNIJA SDU, të paraqitura kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Anr.656/2021, të datës 07.03.2021. Me aktgjykimin AA.nr.30/2021 është vendosur që këto ankesa të refuzohen si të pabazuara”, njofton gjykata.
Po ashtu është refuzuar edhe ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ankesa e subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Anr.761/2021, lidhur me kërkesën për numërimin e 20.550 pakove me fletëvotime të arritura me postë nga votuesit jashtë Kosovës, është refuzuar si e pabazuar përmes aktgjykimit AA.nr.38/2021”, njoftoi Supremja të premten./KosovaPress