Çdo person që i bën sulm një personi zyrtar në Kosovë, dënohet me burg nga 3 muaj deri në 12 vjet, varësisht prej veprës penale, shkruan Gazeta Metro.
E marta e 26 prillit ka shënuar edhe një sulm ndaj policisë – të gjashtin të tillë që nga 13 prilli.
Më 15 prill, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka njoftuar publikun për katër sulme ndaj Policisë së Kosovës, që kanë filluar nga 13 prilli.
Ndërkaq, policia ka njoftuar për sulmin e pestë më 16 prill, derisa i gjashti pra u shënua këtë javë.
Mirëpo sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sulmi ndaj personit zyrtar është e dënueshme me burg.
Sa dënohen personat që sulmojnë personat zyrtar?
Sipas nenit 402 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pika 1 thotë se kushdo që sulmon ose kanoset seriozisht se do ta sulmojë personin zyrtar, apo personin i cili ndihmon në kryerjen e detyrave zyrtare, në lidhje me detyrat zyrtare, dënohet me burgim prej
tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.
Ndërsa pika tre thotë se, nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me lëndim të lehtë trupor të personit zyrtar apo ndihmësit të tij ose përfshin kanosje për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
Pika e katërt nga ky nen gjithashtu sqaron se nëse vepra penale nga paragrafi 2. i këtij neni rezulton me lëndim të lehtë trupor të gjyqtarit, prokurorit, policit, zyrtarit doganor, zyrtarit korrektues, ose përfshin kanosje për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.
Në pikën pesë, bëhet e ditur se nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me lëndim të rëndë trupor të personit zyrtar apo ndihmësit të tij, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet.
Ndërkaq pika e gjashtë e këtij neni thotë se nëse vepra penale nga paragrafi 2 i këtij neni rezulton me lëndim të rëndë trupor të gjyqtarit, prokurorit, policit, zyrtarit doganor apo zyrtarit korrektues, kryesi dënohet me burgim prej dy (2) deri në dymbëdhjetë (12) vjet. /gazetametro.net