Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka kërkuar nga ambasadorët e vendeve perëndimore që të reagojnë ndaj sulmeve që pushteti po i bën Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ai ka bërë me dije se gjatë qeverive të kaluara këta ambasadorë reagonin edhe për shqetësimet më të vogla.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ambasadorët po heshtin edhe kur para syve të tyre po politizohen të gjitha institucionet e pavarura.
“Dikur Ambasadorët reagonin për temat që shqetësonin shoqërinë apo kur politika nuk i përmbahej sa duhej detyrës së saj. Dikur, gjatë qeverive të kaluara, Ambasadorët reagonin edhe për shqetësimet më të vogla. Por, jo edhe tani! Ambasadorët po heshtin edhe kur para syve të tyre po politizohen të gjitha institucionet e pavarura. Ambasadorët po heshtin edhe kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti apo Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sulmojnë Gjykatën Kushtetuese, Prokurorët dhe Gjykatësit”, ka shkruar Gjoshi.
Sipas tij, një veprim i tillë nuk mund të paramendohet në vendet perëndimore.
“Ambasadorët po heshtin edhe kur Qeveria dhe njerëzit e saj po sulmojnë Lirinë e Fjalës! Ambasadorët e dijnë shumë mirë se kjo nuk mund të ndodhë në vendet e tyre demokratike, por ata po vazhdojnë të heshtin. Ambasadorët e dijnë se sulmet mbi institucionet e pavarura, mbi gjykatësit dhe prokurorët ndodhin vetëm në Rusi e shtetet rreth saj. Ambasadorë, pse po heshtni? Kur do të flisni?”, ka shkruar Gjoshi.
/Demokracia