STOLTENBERG: FSK TË MOS VENDOSET NË VERI PA MARRËVESHJE ME KFOR-IN DHE NATO-N

- in Lajme

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi sot se autoritetet kosovare duhet të respektojnë marrëveshjen e vitit 2013 që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të mos shkojë në veri pa një marrëveshje paraprake me misionin paqeruajtës KFOR-in dhe Aleancën Veri-Atlantike.

Ai këto komente i bëri sot gjatë një konference për media, pas takimeve që kishte me krerët e shtetit të Kosovës, prej nga përçoi mesazhin se NATO do të vazhdojë praninë e saj në Kosovë, teksa ka folur edhe rreth mundësisë së anëtarësimit të vendit tonë në organizatën më të fuqishme ushtarake në botë.

Stoltenberg: FSK në veri jo pa marrëveshje me NATO-n

Video

“Unë mirëpres që autoritetet e Kosovës t’i përmbahen marrëveshjes që ne bëmë në vitin 2013. Që Forcat e Sigurisë së Kosovës të mos vendosen në veri pa pajtimin paraprak me KFOR dhe NATO-n dhe ky është ende rasti. Kjo pasqyron gjithashtu ndjeshmërinë dhe sfidat. Dhe unë mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të vazhduar të gjesh ekuilibrin e duhur dhe për të shmangur situatat që mund të minojnë, dhe dobësojnë përpjekjet për të gjetur zgjidhje, dhe për të shmangur gjithçka që mund të minojë dialogun Prishtinë-Beograd”, ka thënë ai

Shefi i NATO-s ka thënë se ndodhet në Kosovë për të dhënë mesazhin se NATO do të qëndrojë këtu për të ndihmuar dhe krijuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit.

Stoltenberg: Mesazhi im ishte që NATO është këtu për të qëndruar

Video

“Mesazhi im ishte që NATO është këtu për të qëndruar. Misioni ynë është i bazuar në kushte, dhe KFOR është në Kosovë për të ndihmuar, për të krijuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet. Dhe ne gjithashtu mbështesim fuqimisht përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike. Ne jemi këtu për shumë vite. Ne ndiejmë një përgjegjësi për të kontribuar për paqe dhe stabilitet, në Kosovë, që gjithashtu është e rëndësishme për të gjithë rajonin”, tha ai.

Sa i përket asaj se Qeveria e Kosovës vendosi të blejë dy dronë në vlerë 4 milionë euro dhe nëse kishte dakordim paraprak me NATO-n, sekretari Stoltenberg shprehu gatishmërinë e Aleancës veri-atlantike për vazhdimin e bashkëpunimit me FSK-në bazuar në aktivitetet që mbulohen nga mandati i saj ekzistues.

Stoltenberg: NATO do të vazhdojë të punojë me FSK-në

Video

“Pra, ajo që thashë ishte se NATO do të vazhdojë të punojë me FSK-në bazuar në aktivitetet të cilat mbulohen nga mandati ekzistues i saj. Kjo është ajo që NATO ka rënë dakord të bëjë. Atëherë, sigurisht, ka pikëpamje të ndryshme në lidhje me këtë midis aleatëve. Disa aleatë kanë vendosur mbi bazën dypalëshe, për të punuar duke u bazuar në mandatin e ri. Por NATO si aleancë, NATO si institucion, do të vazhdojë të sigurojë mbështetje bazuar në mandatin e saj”, tha ai..

I pyetur nga KosovaPress nëse Kosova mund të anëtarësohet në NATO, kërkesë kjo të cilën Stoltenbergut sot në takim ia bëri edhe vetë presidentja Vjosa Osmani, shefi i Aleancës Veri-atlantike ka kujtuar se anëtarësimi bëhet përmes konsensusit, ndërkohë që katër vende anëtare të saj ende nuk e njohin Kosovën.

Stoltenberg: Anëtarësimi në NATO bazohet në konsensus

Video

“Së pari, mendoj se është e rëndësishme të përqendrohemi në reformat, të përqendrohemi në ndërtimin e kapaciteteve. Siç bëjmë së bashku me Kosovën, dhe kjo është pikërisht ajo që po bëjmë. Kur flasim për anëtarësimin, siç e dini, janë katër aleatë të NATO-s që nuk e njohin Kosovën, kjo pasqyron një realitet, një realitet politik. Kur Norvegjia vendosi të njohë Kosovën, aleatët e tjerë kishin mendime të ndryshme. Ata kanë të drejtën për të marrë vendimet e tyre. Anëtarësimi në NATO bazohet në konsensus, kemi nevojë që të gjithë aleatët tanë të bien dakord. Kështu që mënyra e vetme për të arritur një anëtarësim për këdo në NATO, është që të gjithë 30 aleatët të bien dakord. Prandaj, mendoj se gjëja më e rëndësishme për Kosovën tani është të përqendrohet në vazhdimin e reformave”, ka thënë Stoltenberg./KP