Stano për deklaratat e Escobarit ndaj Kurtit: Kur vjen puna te Kosova dhe sjellja e Qeverisë, pikëpamjet tona me SHBA-në përafrohen gati 100%

- in Lajme

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke refuzuar të komentojë deklaratat e emisarit amerikan, Gabriel Escobar, se SHBA e BE kanë probleme të komunikimit me kryeministrin Albin Kurti, tregoi se qëndrimet e BE-së kur në pyetje është Kosova janë 100 përqind të njëjta.“

Kur vjen puna te Kosova dhe sjellja e qeverisë aktuale në Prishtinë, pikëpamjet tona me partnerët amerikanë përafrohen gati 100%”, tha sot Stano në konferencë.

Çka tha Gabriel Escobar dje?

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dje konfirmoi problemet e Uashingtonit me kryeministrin Albin Kurti. Në një bashkëbisedim me gazetarë në Bruksel ai pati një gjuhë të ashpër edhe për çështjen e dinarit.

“Partneriteti mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin. Kosova nuk ka problem vetëm me SHBA-të, por edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe shumë partnerë të tjerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha dje Gabriel Escobar, i Dërguar i SHBA, për Ballkanin Perëndimor./Demokracia