Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë të Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për vitin 2020, ku temë diskutimi u bënë pagat që merr stafi serb, i cili nuk ndodhet në vendin e punës.
Në këtë mbledhje, ku i pranishëm ishte edhe ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, u tha se kjo ministri ka gjetur zgjidhjen për këtë kategori të punonjësve, duke i shpërndarë këta të fundit nëpër komuna. Por kjo nuk mjaftoi që deputetët të mos debatojnë.
Deputeti raportues Eman Rrahmani tha se janë ligjet që e përcaktojnë se kush dhe si duhet të paguhet.
Ai tha se është shumë e rëndësishme që të ngritët niveli i përgjegjësisë mbi shpenzimet e parasë publike, teksa shtoi se llogaridhënia duhet të jetë pjesë e pandashme e punës.
Rrahmani: A është zgjidhur problemi i pagesës së punëtorëve që nuk kanë viju punën
“Viti 2020 krahasuar me vitin 2019-2018 është me një performancë më të dobët në aspektin e shpenzimeve buxhetore, është shpenzuar vetëm 74 përqind e buxhetit[…]Unë çka kisha kërku, për shkak se po kemi shumë probleme edhe me institucionet tjera, në këtë raport po e shoh që pagesa e punëtorëve të cilët deri tash nuk kanë viju punën, janë paguar, sidomos ata në veri, po e shoh që nuk është e gjetur dhe besoj se do të na ndihmonte që t’i këshillojmë edhe institucionet tjera sesi është zgjidhur ky problem , ose a është zgjedhur pasi nuk po e shoh tek të gjeturat”, tha ai.
Kurse ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi tha se pasqyrat financiare vjetore të MAPL-së prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet.
Lidhur me pyetjen e deputetit Eman Rrahmani, Krasniqi tha se nuk ka asnjë zyrtar në MAPL që duhet të punojë e që nuk vijon punën.
Krasniqi: Nuk ka asnjë zyrtar në MAPL që duhet të punojë dhe nuk punon
“Sa i përket pyetjes së deputetit për personat që ish dashtë me punu dhe nuk punojnë, ka të bëjë me numrin e madh që janë në disa dikastere tjera. Mirëpo në MAPL, i gjithë stafi, i cili ka qenë i punësuar dhe nuk ka dalë në vendin e punës, janë sistemuar në komuna, kështu që nuk ka asnjë zyrtarë në MAPL, kështu që nuk ka asnjë zyrtar në MAPL që duhet të punojë dhe nuk punon”, tha ai.
Kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami tha se raste të zyrtarëve që nuk punojnë e që marrin paga ka ende.
Ajo tha se raste të tilla ka pasur edhe në qeverinë Kurti I, e që vazhdon të ketë edhe tani.
Bajrami: Çështja e stafit që paguhet e nuk punon është më shumë politike sesa menaxheriale
“Deputet Rrahmani, edhe gjatë javës së kaluar e keni ngritur rastin e zyrtarëve që nuk punojnë dhe janë ën listën e pagave. Unë jam e sigurt që raste të tilla kemi edhe sot nëpër ministri, nuk është diçka që ka ndodhur vetëm në të kaluarën. Janë marrëveshjet e Brukselit, të cilat i obligojnë institucionet e Kosovës për integrimin e strukturave paralele dhe shkrirjen e tyre në institucione të Kosovës. Është një pjesë e personave nuk kanë pasur zyra, arsyetimi ka qenë i tillë. Ndoshta edhe për shkak të kësaj Zyra e Auditimit nuk e ka gjetur si të gjetur, për shkak se çështja më shumë është politike sesa menaxheriale”, u shpreh ajo.
Ndërsa deputeti Rrahmani iu kundërpërgjigj ministres duke i thënë se asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk e obligon
Rrahmani: Nuk të obligon asnjë marrëveshje ndërkombëtare me e pagu dikënd që nuk shkon në punë
“Nuk të obligon asnjë marrëveshje ndërkombëtare me e pagu dikënd që nuk shkon në punë. Janë ligjet që e përcaktojnë se kush dhe si duhet të paguhet, është procesi i vijueshmërisë së punës dhe puna që e bënë zyrtari. Jo duke qëndru në shtëpi e duke punu me struktura paralele në veri atje, me marrë paga prej institucioneve të Kosovës”, reagoi ai.
Një çështje tjetër që u ngrit gjatë kësaj mbledhjeje ishte edhe ajo e avanseve të mbyllura.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, pyeti se a janë mbyllur avanset e viteve të kaluara dhe se a ka ministria një plan të veprimit për të zbatuar rekomandimet.
Në këtë pikë, ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi tha se avanset janë të mbyllura, por që nuk janë arsyetuar në linjat e duhura buxhetore.
Ai theksoi se në Raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë të Administrimit të Pushtetit Lokal për vitin 2020 janë evidentuar 4 të gjetura, e që në bazë të rekomandimeve të dala nga ky raport janë marrë veprimet e nevojshme, ku në këtë drejtim tha se kanë funksionalizuar edhe Komitetin e auditimit të brendshëm.
Krasniqi: Kemi funksionalizuar Komitetin e Audimit të Brendshëm
“Është funksionalizu Komiteti i Auditimit të Brendshëm dhe ky ka qenë njëri prej veprimeve te para që i kam ndërmarr si ministër. Për ne ka qenë e papranueshme dhe e pajustifikueshme sesi ka munguar vullneti politik i ministrit të kaluar që të funksionalizohet Komiteti për Auditimin e brendshëm”, tha Krasniqi.
Ministri bëri të ditur se janë në proces të hapjes së konkursit për sekretarin e përgjithshëm, teksa shtoi se do të bëjnë publike shpenzimet në baza javore dhe mujore./KP