Dhjetëra zyrtarë policorë të stacionuar në Stacionin Policor “Jugu” në Prishtinë, punojnë në kushte jo të favorshme të punës. Temperaturat e larta gjatë verës, e shumë të ulëta në dimër, papastërtia e inventari i vjetër janë vetëm disa nga telashet që përballen çdo ditë policët e këtij stacioni, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjalizues të Sinjalit që e kanë vrojtuar nga afër këtë stacion, kanë rrëfyer për këto kushte të mjerueshme në të cilat punojnë pjesëtarët e Policisë, e që ende s’është bërë asgjë që të kryhen sanimet e nevojshme.
Sipas sinjalizuesve, në këtë kohë mjaft të nxehtë, por edhe gjatë verës, temperaturat në hapësirat e stacionit janë shumë larta. Ajo çka e bën punën e zyrtarëve policorë të mundimshme dhe ndonjëherë edhe të papërballueshme është edhe mungesa e kondicionerit. Derisa në stinën e dimrit, ambienti ngrohet shumë vështirë dhe temperaturat brenda stacionit janë mjaft të ulëta, që e vështirëson kryerjen e detyrave nga zyrtarët policorë.
Duke e quajtur “hambar mushkonjash”, sinjalizuesit e Sinjalit thonë se në këtë stacion mbizotëron një papastërti e madhe, çka mund t’u sjellë policëve probleme shëndetësore, si pasojë e infeksioneve që mund të marrin.
Përpos kushteve esenciale infrastrukturore që mungojnë, policët e këtij stacioni detyrohen që edhe ujin e pijes ta blejnë vet, çka i prek ata direkt në xhepin e tyre. Përveç ujit të cilin e blejnë për konsum personal, zyrtarët policorë hasin në mungesë edhe të pajisjeve, që jo rrallëherë i blejnë vet, e të cilat do të duhej t’i siguronte shteti.
Kur do të rregullohen kushtet e atyre që lavdërohen çdo ditë nga pushtetarët?
Politikanët, duke përfshirë edhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, të cilët e lavdërojnë në vazhdimësi punën e Policisë, sidomos në situata të përballjeve me grupe kriminale, nuk kujdesen e as nuk ndërmarrin veprime për t’i rregulluar kushtet dhe ambientin që i rrethon zyrtarët policorë.
Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të Policisë, por edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të marrë një përgjigje se a është planifikuar të intervenohet në këtë stacion dhe të rregullohen kushtet bazike për Policinë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.