Gazeta Sinjali sot raportoi për arrestimin e një 29-vjeçari në Junik, i cili dyshohet se ka ngacmuar një numër të madh të vajzave kosovare, të cilat jetojnë jashtë vendit, përmes rrjeteve sociale, duke iu shkaktuar frikë e shqetësim.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që u prangos nga Policia është Ledri Maka, i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, si i dyshuar për veprën penale “ngacmimi”.
Rasti në Polici është denoncuar rastin përmes postës elektronike nga tri vajza, të cilat kanë raportuar se Maka po i ngacmon dhe ofendon në rrjete sociale.
Për këtë rast kanë shkruar në Facebook edhe disa kosovare që jetojnë jashtë Kosovës. Njëra prej tyre pretendon se për shkak të të dyshuarit Ledri Maka, disa vajza nuk po guxojnë të vijnë në Kosovë, teksa ka kërkuar që i njëjti të ndalohet.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që kryen veprën penale “ngacmimi” dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 vjet.
“Kushdo që përfshihet në një sjellje të vëmendjes së vazhdueshme dhe të padëshirueshme ose komunikon me qëllim të ngacmimit, frikësimit, lëndimit, dëmtimit të pasurisë apo vrasjes së personit tjetër ose fëmijëve të tij, familjes, të afërmve apo kafshëve shtëpiake ose kushdo që vë tjetrin nën vëzhgim me qëllim të ngacmimit, frikësimit, lëndimit, dëmtimit të pasurisë apo vrasjes së personit tjetër ose fëmijëve të tij, familjes, të afërmve apo kafshëve shtëpiake; dhe gjatë këtyre veprimeve vë atë person nën frikë të arsyeshme nga vdekja, lëndimi i rëndë trupor, dëmtimi i rëndë i pasurisë ose nën shqetësim të madh emocional, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/