Trupi gjykues në çështjen ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerët, ka vendosur që të rrëzojë kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për pranimin e deklaratave të mëhershme të dëshmitarit 4647 sipas rregullit 154.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith në seancën e së hënës, duke paraqitur tri arsye, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Së pari, Prokuroria nuk ka paraqitur arsye të mjaftueshme që përbëjnë arsye të vlefshme për t’u pajtuar me afatin e 7 shkurtit, për të cilin kishte vendosur trupi gjykues në bazë të rregullës 154 sa u takon 12 dëshmitarëve të parë dhe kjo është në transkriptin e 18 janarit, në faqe 1902”, tha ai.
Tutje, gjykatësi Smith tha se arsyeja e dytë është se trupi gjykues pajtohet me mbrojtjen se ndryshimi në mënyrën e prezantimit të provave të dëshmisë së 04647 do të cenonte në fakt të pandehurin.
“Prandaj, trupi gjykues në këtë rast rrëzon kërkesën e Prokurorisë për të pranuar dëshminë e dëshmitarit 04647 në bazë të rregullës 154”, përfundoi ai urdhrin gojor.
Ndërkaq, paraprakisht, dëshmitari i dymbëdhjetë me radhë (me kodin 04337) duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit të specializuar James Pace, tha se asnjë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk ia mundësoi që të kundërshtonte ndalimin e tij.
‘‘Asnjëherë’’, u përgjigj dëshmitari kur u pyet lidhur me këtë.
Po ashtu, ai u përgjigj me “jo” në pyetjen nëse pas ose gjatë ndalimit të tij, ndonjë pjesëtar i UÇK-së i kishte dhënë ndonjë dokument që pretendohej se mbi bazën e tij ishte ndaluar i njëjti.
Tutje, dëshmitari dha përgjigjen se ‘‘kurrkujt si kam pas borxh, asnjëherë’’, kur u pyet nga prokurori Pace nëse pas ose gjatë ndalimit të tij ndonjë pjesëtar i UÇK-së e kishte akuzuar për ndonjë krim konkret që pretendohej se ky dëshmitar e kishte kryer.
Ndërsa, pjesa tjetër me pyetje të tilla ishte me përmbajtje të redaktuar, e që tani po vazhdon seanca ende me dëgjimin e këtij dëshmitari, duke u pyetur nga ana e Prokurorisë në sesion privat./Demokracia