Specialja kërkon që Thaçit e Veselit t’i vazhdohet paraburgimi

- in Lajme

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar që ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli t’u vazhdohet masa e paraburgimit.

Këtë kërkesë Prokuroria e ka arsyetuar në baza të shumëfishta në mënyrë të përsëritur nga Gjykata e Apelit.

Nga Prokuroria është thënë se “caktimi i datës së gjykimit dhe zhvillime të tjera të rëndësishme që tregojnë progres të qëndrueshëm do t’i japin Thaçit e Veselit qasje të mëtejshme në informacione në lidhje me dëshmitarët e ndjeshëm dhe rastin kundër tyre, mbështesin domosdoshmërinë dhe arsyeshmërinë e paraburgimit”.

“Asnjë kusht i shkurtër i paraburgimit në objektet e paraburgimit të Dhomës së Specializuar të Kosovës (DhSK) s’do të ishte i mjaftueshëm për të minimizuar rreziqet dhe se periudha e paraburgimit duke marrë parasysh të gjitha rrethanat relevante – është e arsyeshme”, thuhet në kërkesë të tyre.

Gjykata Speciale ua kishte vazhduar paraburgimin ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Ky vendim ishte marrë të enjten e 19 dhjetorit ndërsa është bërë i ditur në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara në të njëjtën ditë.

Ndryshe, Veselit dhe Thaçit, gjyqtari paraprak ua kishte aprovuar kërkesat që shqyrtimi i paraburgimit të tyre të shtyhet derisa të zgjidhet një çështje.

“Mbrojtja e ka ditur këtë gjatë gjithë kohës – që nga vendimet e para të paraburgimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, u bë e qartë se paraburgimi mund të justifikohej vetëm me informacionin që iu zbulua”, është thënë nga ZPS-ja.

Gjykata Speciale

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./Albanianpost