Gjykata Themelore e Ferizajt nis sot gjykimin ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut si të dyshuar kryesorë për rastin e vrasjes së Margiona Osmanit në gusht të vitit të kaluar, një rast që kishte tronditur vendin dhe që ngjalli reagime të ashpra.
Prokuroria Themelore në Ferizaj në fund të muajit të kaluar ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, me datë 22 Gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta 18-vjeçaren, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Po ashtu, sipas prokurorisë, për të pandehurin Dardan Krivaqa, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”.
Ndërsa, i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa, në kryerjen e veprës penale të dhunimit, me çka kreu veprën penale ndihmë në kryerjen e dhunimit.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.