Sot mbahet seanca e rigjykimit për vrasjen e 18-vjeçarit nga Podujeva

- in Lajme

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca e rigjykimit për vrasjen e 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu nga Podujeva.

Këtë e ka bërë të ditur avokati i familjes të së ndjerit, Tomë Gashi.

Ai ka thënë se familja e 18-vjeçarit nuk po sheh drejtësi “për këtë vrasje të rëndë e trishtuese”.

“Pasi Gjykata e Apelit e ktheu rastin ne rigjykim dhe rivendosje sot ne Gjykaten Themelore ne Prishtine mbahet seanca ndaj dy te miturve te cilet akuzohen per vrasje te rende.

Gjykata ka punet e veta por familja e Lulzimit nuk po sheh drejtesi per kete vrasje kaq të rëndë e kaq trishtuese”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Gjykata e Apelit ka kthyer për rigjykim çështjen e vrasjes së 18-vjeçarit më 17 korrik.

Ky vendim anulon aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin i mituri i parë ishte dënuar me 10 vjet burgim dhe i mituri i dytë me 9 vjet burgim.

Aktgjykimi i Apelit është marrë më 17 korrik 2024, me të cilin ka aprovuar si të bazuara ankesën e mbrojtësit të të miturit të parë, avokatit Skender Musa dhe mbrojtësit të të miturit të dytë, avokatit Florent Latifaj.

Ndryshe, Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 23 maj 2024 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të miturve lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë.

I mituri i parë u dënua me 10 vjet burgim, kurse i mituri i dytë u dënua me 9 vjet burgim.

Më 20 janar 2024, 18-vjeçari, Lulzim Fejzullahu, kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, e më pas është ricilësuar në “Vrasje e rëndë”.

Përleshja mes viktimës dhe dy të miturve kishte ndodhur më 15 janar.

Sipas Prokurorisë, dy të miturit e kishin goditur 18-vjeçarin me shkop, duke shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK, ku kishte vdekur pas 5 ditësh./Demokracia