Kosova do të luajë sot ndeshjen e parafundit në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2022. Përballë Dardanëve në stadiumin “Fadil Vokrri” do të jetë Gjeorgjia, ekip të cilin e kanë mposhtur muajin e kaluar në Batumi.
Ndeshja fillon në orën 20:45 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK. Ndonëse pa gjasa për kualifikim, futbollistët e Kombëtares së Kosovës janë zotuar se do të japin maksimumin për të arritur fitoren e dytë në këto kualifikime dhe për të pasur në fund një plasman sa më të mirë, i cili do t’i shërbejë më pas në ngritjen e moralit por edhe në përmirësimin e pozitës në renditjen e FIFA-s. Kosova është e parafundit me vetëm katër pikë nga pesë ndeshje, katër më pak se vendi i tretë Greqia dhe tri më shumë se Gjeorgjia në vendin e fundit. Spanja dhe Suedia i prijnë grupit me 13, përkatësisht 12 pikë. Kjo është hera e dytë që Kosova merr pjesë në kualifikime për Botëror që prej pranimit në UEFA e FIFA më 2016, pas debutimit në fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2018, kur nuk arriti ta shënojë asnjë fitore.