Qendra Ndërkombëtare Republikane për Vështrime mbi Hulumtimet e Anketave ka publikuar sondazhin e fundit për Ballkanin Perëndimor dhe pjesë e matjeve ishte edhe besueshmëria në media.
Pjesë e sondazhit ishin vende si Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.
Të dhënat e mbledhura në sondazhin e realizuar në kuadër të qendrës së institutit “Center for Insights in Survey Research” nga Ipsos Stregic Marketing, nga 30 dhjetori i vitit 2021 deri me 20 shkurt e vendosin shtetin e Kosovës, të parin në rajon që ka besueshmërinë më të madhe në median shtetërore.
36% e qytetarëve kosovar, i besojnë Radio Televizionit të Kosovës, më pas vijnë televizionet tjera si: ‘KTV’ me 31%, ‘RTV 21’ me 29%.
Për sa i përket përqindjes së platformave mediatike që kosovarët përdorin më shpesh për të marrë lajme politike dhe informacione, televizioni del të jetë i pari me 55%.
Por, krahasuar me sondazhin e njëjtë të dy viteve më parë, shifrat kanë rënë pasi në 2020 ishin 67%.
Ndërkaq, 21% e qytetarëve kosovar informacionet i marrin nga rrjetet sociale, krahasuar me dy vitet e kaluara kjo përqindje është rritur pasi në vitin 2020 ishte vetëm 16%.
Një pjesë e qytetarëve, pra 18%, lajmet i marrin nga interneti, 3% nga radio, kurse 4% kanë refuzuar të përgjigjen.
Shteti i dytë, del të jetë Mali i Zi, me 35% të qytetarëve që i besojnë televizionit Vijesti, pasuar me televizionin shtetëror ‘TV CG 1’ me 21%.
Nga Mali i zi 51% e të anketuarve i besojnë televizionit, 28% internetit, 15% lajmet i marrin nga rrjetet sociale dhe 2% nga radio.
E treta në këtë listë është Serbia, me 31% të qytetarëve që i besojnë radio televizionit publik ‘RTS’, i dyti me radhë është ‘Pink TV’ me 24% dhe ‘TV PRVA’ me 19%.
Në Serbi, 57% e qytetarëve i besojnë televizionit, 25% internetit, kurse 11% mediave sociale.
Maqedonia e Veriut me 27% dhe Bosnja e Hercegovina me 11% mbesin të fundit në listën e besueshmërisë së mediave.
Megjithatë, edhe në këto dy shtete besueshmëria më e madhe është në televizion.
/Albanianpost.com