Sociale Krasniqi: Nesër bashkë me mijëra qytetarë marshojmë për drejtësi

- in Lajme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur një ditë para marshit të organizuar në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët ndodhen në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka thënë se nesër bashkë me mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova, do të marshojnë për drejtësi.

“Nesër, me 2 prill, nga ora 14:00, bashkë me mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova, do të takohemi në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, që të Marshojmë për Drejtësi”, shkroi ai.

Ndryshe, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, do të dalin më 3 prill para trupit gjykues të Gjykatës Speciale në Hagë.

Akuzat që i ngarkojnë, përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhvendosje me dhunë, dhe lidhen me luftën e viteve 1998/99 në Kosovë.

/GazetaSinjali/