Skuadra e Premier League shkarkon trajnerin e saj

- in Sport

Skuadra e Premier League, Burnley ka konfirmuar se ka shkarkuar trajnerin e saj, Sean Dyche shkaku i rezultateve zhgënjyese këtë edicion në elitën e futbollit anglez, transmeton Gazeta Metro.

Përmes një njoftimi zyrtar në faqen e tyre klubi i Burnley ka bërë të ditur se kanë ndërprerë bashkëpunimin me menaxherin, Sean Dyche dhe të gjithë stafin e tij.

Për këtë ka folur edhe presidenti i klubit, Alan Pace i cili ka falënderuar ish-trajnerin dhe stafin e tij për arritjet me klubin, por që dëshiron një frymë të re në klub edhe pse kishte qenë një vendim shumë i vështirë sipas tij.

”Së pari, ne dëshirojmë të falënderojmë sinqerisht Sean dhe stafin e tij për arritjet e tyre në klub gjatë dekadës së fundit. Sidoqoftë, rezultatet këtë sezon kanë qenë zhgënjyese ndërsa ky ishte një vendim tepër i vështirë, me tetë ndeshje të rëndësishme të sezonit të mbetura, ne mendojmë se nevojitet një ndryshim për t’i dhënë skuadrës shanset më të mira të mundshme për të ruajtur statusin e saj në Premier League,” tha ai.

Ndërsa shtoi se procesi për zëvendësimin e tij ka filluar dhe do të bëhet e ditur shumë shpejt se kush do të jetë trajneri i ardhshëm i klubit.

Dyche kishte arritur që të kualifikoj skuadrën e Burnley për herë të parë në garat europiane pas 51 vjetëve gjatë sezonit 2018-2019, derisa ka qenë në krye të klubit për nëntë vjet e gjysmë. /gazetametro.net