Një incident jo fort i zakontë ka ndodhur mbrëmë në Skënderaj, ku janë përfshirë babai me dy djemtë, pas një konflikti verbal te shtëpia e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Debati mes tyre nisi pasi njëri nga djemtë kishte ardhur për vizitë nga Shqipëria, ku edhe jeton, por nuk u lejua të hyjë as në oborrin e shtëpisë.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se babai me djalin tjetër s’e lejuan atë ta vizitojë nënën e tij dhe aty eskaloi situata.
I mllefosur pasi babai me vëllain ia ndaluan hyrjen në shtëpi, djali 39-vjeçar dyshohet se i kërcënoi ata duke u thënë se do të qëndrojë në Kosovë, derisa “t’i kryej punët që ka me ta”.
Kjo bëri që babai me djalin tjetër ta njoftojnë Policinë, me ç’rast një patrullë policore doli në vendin e ngjarjes, ku mori deklaratat e personave të përfshirë.
Ndaj 39-vjeçarit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet për veprën penale “kanosje”.