Skandalet jashtë shtetit-Qeveria fajëson të tjerët: Si po e mbron pushteti ambasadorin Berishaj

- in Lajme

Janë bërë katër ditë prej skandalit të madh financiar në Slloveni, ku rezultoi që pjesë e tij ishte edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ai po dyshohet se ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi te politikani slloven. Por pushteti ka vendosur të ‘’fortifikoj’’ totalisht Berishajn, duke heshtur por edhe kur flitet për të tenton t’i dalë në mbrojtje si askujt më parë, shkruan Gazeta Metro.

Fajin e gishtin e drejtojnë te dikush tjetër.

Kësaj radhe nuk mund të fajësohen pushtetet e kaluara, por qeveria ka gjetur ‘’pikën’’. Thonë se fajtorë janë sllovenët, dhe lufta politike që u bë atje para zgjedhjeve.

Reagim kërkohej nga krerët shtetëroë, por reagimi i tyre i zbehur anipse bëhej fjalë për një skandal të përmasave të mëdha që tani ‘’kishte marrë dhenë’’ në mediat sllovene, duket se nuk ishte i mjaftueshëm për shkarkim e as për akuzim, por duhej mbrojtje.

Kryeministri Albin Kurti, ishte deklaruar në lidhje me këtë rast, por nuk foli me fjalët e tij- zgjodhi ta citonte ambasadorin Berishajn, që tha se raportimet ishin të pavërteta- ashtu edhe siç pritej.

“Zëdhënësi ynë i qeverisë e ka dhënë qëndrimin dhe poashtu ambasadori Berishaj e ka bërë një deklaratë me të cilën tregon se ato janë të pavërteta dhe se do ta padis mediumin i cili ka shpifur asisoj”, tha shkurt Kurti.

Pas Kurtit, presidentja Osmani forcoi mbrojtjen ndaj Berishajt, tha se ambasadori e ka mohuar këtë gjë dhe do ndjek rrugët ligjore.

“Kurse sa i përket atyre që publikohen dua ta potencoj atë që e them vazhdimisht siç e ka thënë presidenti Biden rreziku më i madh në raport me demokracitë tona nuk janë vetëm tanket por edhe dezinformatat. Kështu që si presidente unë pres që për çdo çështje që publikohet të konfirmohen dhe ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës kur mohon akuza të tilla dhe natyrisht ai do të drejtojë të gjitha këto çështje në organet e drejtësisë dhe të gjithë presim organet e drejtësisë para se të konstatojmë diçka siç u konstatua”, tha ajo.

‘’Ekipit mbrojtës’’ iu bashkuan edhe deputetë të LVV’së, të cilët thanë gjithashtu tashmë ‘’të zakonshmen’’- i besojmë Martin Berishajt.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci tha se duhet pritur se çka ka për të thënë Berishaj, para se të bëhen akuza të tilla.

“Çfarë skandali, a e ka padit ai (Berishaj mediumin), a ka thënë s’është e vërtetë. A ka thënë është e pavërtetë”, shpjegoi ai, duke treguar se nuk e njeh Berishajn por se i beson.

‘’Zhagun’’ ia mbajti Haki Abazi, tjetër deputet i VV’së që u lëshua në akuza deri te kryeministri slloven.

“E vërteta është se ka pasur një fushatë elektorale në Slloveni dy ditë para zgjedhjeve, Janez Jansha, ka përdorur krejt armatimin e tij siç është bërë zakon nga ata që e shohin vetën në anën e humbësit për të përdorur arsenalin kundër kandidatit për kryeministër dhe në këtë arsenal ka përdorur edhe emra edhe situata edhe marrëdhënie të cilat ka menduar që mund ta bëjnë kandidatin e kundërt të duket më keq më dobët”, ka thënë ai.

Duke vazhduar mbrojtjen e ambasadorit, pozita si duket nuk ka ndërmend të marrë masa për këtë skandal në të cilin dyshohet se mori pjesë Berishaj.

Për këtë skandal nga opozita e analistë të shumtë është thënë se nevojitet shkarkimi i tij, por kjo si duket nuk pritet të ndodh, të paktën jo deri tani./gazetametro.net