S’KA VIKTIMA E AS TË LËNDUAR KOSOVARË NGA PËRMBYTJET NË EVROPËN PERËNDIMORE

- in Lajme

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se nuk ka viktima e as të lënduar me shtetësi kosovare në zonat e përmbytura në Evropën Perëndimore.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njofton opinionin publik se nga informacionet që janë mbledhur nga misionet e Republikës së Kosovës në Gjermani, Belgjikë, Holandë, Luksemburg dhe Zvicër , vende këto që po përballen me përmbytje dhe vërshime nga të reshurat, nuk ka asnjë të dhënë për viktima ose të lënduar nga radhët e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në këto shtete”, ka njoftuar MPJD nëpërmjet një komunikate për media.

Tutje nga MPJD thuhet se “Nga raportet e misioneve të Kosovës në këto shtete, deri sot në mesditë (e premte, ora 12:00), është kontaktuar në dy raste Ambasada e Kosovës në Berlin si dhe Konsullata e Përgjithshme në Dyseldorf, të cilat kanë arritur të asistojnë në dy raste në identifikimin e një familjeje dhe një personi tjetër, të cilët kishin rezultuar të humbur në rajonet e prekura nga përmbytjet. Për të dy rastet ambasada dhe konsullata e Kosovës kanë qëndruar në kontakt me autoritetet gjermane si dhe familjarët e personave në Kosovë deri në identifikimin e tyre, dhe sigurimin që janë në gjendje të mirë shëndetësore”.

MPJD-ja do të informojë në vazhdimësi opinionin publik lidhur me situatën dhe zhvillimet në raport me pjesëtarët e mërgatës sonë, në të gjitha zonat e përmbytura në Evropën Perëndimore.

MPJD-ja ka shprehur ngushëllime për humbjen e jetëve të njerëzve nga kjo katastrofë natyrore dhe uron shërim të shpejt për të lënduarit me shpresën se nuk do të ketë humbje të tjera jetësh./KP