“Marrëveshje gjithpërfshirëse, detyruese, me garancë ndërkombëtare dhe me njohje reciproke në qendër”.
Me pak fjalë ky ka qenë qëllimi për Kosovën kur nisi dialogun me Serbinë në Bruksel, pas rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtatorin e vitit 2011, shkruan Demokracia.com.
Por, kur dialogu në Bruksel po shkonte drejt fundit, situata ka ndryshuar drastikisht me ndryshimin e skenës politike në Kosovë dhe udhëheqjen e këtij procesi nga kryeministri i ri, Albin Kurti.
“Njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” nuk duket më në horizont.
Në prag të largimit të tij nga roli i ndërmjetësuesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, emisari evropian Miroslav Lajçak ka zbuluar një të vërtetë të rëndë për Republikën e Kosovs, e cila ka të bëjë pikërisht me rezultatin përfundimtar të marrëveshjes ndërmjet dy vendeve.
LAJÇAK: NË VITIN 2020, ME NDRYSHIMIN E QEVERISË, NDRYSHOI EDHE QASJA E KOSOVËS NDAJ BISEDIMEVE
Emisari evropian ka zbuluar në një intervistë për mediumin opozitar në Serbi, Nova.rs, se “qasja e Kosovës ndaj bisedimeve për një marrëveshje gjithpërfshirëse” ndryshoi në vitin 2020, pas ndryshimit të skenës politike në Kosovë.
“Ne kemi filluar të diskutojmë elemente të ndryshme të kësaj marrëveshjeje në vitin 2020 dhe kemi bërë përparim të mirë në elemente të ndryshme. Me ndryshimin e Qeverisë në Prishtinë ndryshoi edhe qasja e Kosovës ndaj bisedimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Lajçak më 4 maj 2024.
REZULTATET E DIALOGUT NËN UDHËHEQJEN E KURTIT
Rezultati i dialogut, në të cilin Republika e Kosovës ka filluar të përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti, janë dy dakordimet e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq: Marrëveshja Bazë – Bruksel, 27 shkurt 2023 dhe Aneksi për zbatimin e saj – Ohër, 18 mars 2023.
Fakti se nuk ka njohje reciproke në Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023] është pranuar edhe nga Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
TËRHEQJA E KURTIT NGA NJOHJA RECIPROKE NDËRSHTETËRORE
“Zbulimi” që bëri emisari evropian nuk duket edhe shumë i panjohur për Kosovën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka humbur nga tavolina e negociatave me Serbinë rezultatin kryesor të dialogut: njohjen ndërshtetërore.
Kurti personalisht është i pari që në vitin 2022 ka prezantuar idenë e mosnjohjes së Kosovës nga Serbia.
Më 18 shkurt 2024, Demokracia.com ka sjellur një analizë të katër urimeve të presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për popullin e Kosovës me rastin e përvjetorëve të Pavarësisë së Kosovës, të cilat janë një dëshmi e qartë e krizës në marrëdhëniet me aleatin dhe mbështetësin kryesor të Republikës së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Krahasimi i gjuhës së përdorur në letrat e urimit është i mjaftueshëm për të ngritur shqetësimin për rrugën që po ndjekë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Qeveria e tij, e cila po rezulton edhe me përplasje publike dhe kërcënime amerikane se pasojat e veprimeve të njëanshme po kufizojnë mundësitë e SHBA-së si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare, shkruan Demokracia.com.
Të gjitha urimet i takojnë kohës pas ardhjes së Qeverisë së re të Lëvizjes Vetëvendosje me kryeministër Albin Kurtin. /Demokracia.com/