Me dy vjet burgim janë dënuar dy ish-zyrtarët e lartë të komunës së Prizrenit, Islam Thaqi dhe Jetmire Vrenezit.
Më poshtë gjeni se për çka saktë u shpall fajtore tani deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-drejtori i komunës.
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarve Islam Thaqi dhe Jetmire Vrenezi. Sipas gjykatës, ata konfirmohet se kanë keqpërdorur detyrën, si zyrtarë në komunën e Prizrenit.
Por, për çka fajësohen dy ish-zyrtarët?
Sipas gjykatës, me datë 19 korrik 2019 dhe 21 korrik 2019, në Prizren në objektin “Abi Çarshia” të akuzuarit në cilësinë personave zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” Sh.P.K., Prizren.
“I akuzuari Islam Thaqi, në cilësinë e Drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, duke ditur se nuk kanë të drejtë të bën rrënimin e objektit pasi i dëmtuari ka aplikuar për legalizim në përputhje me vendimin e MMPH të datës 27.08.2018, jep pëlqimin, organizon dhe merr pjesë aktive në rrënimin e objektit “Abi” Sh.P.K., në Prizren”, thuhet në njoftimin për dënim.
Ndërsa, sipas gjykatës, Vrenezi, në cilësinë e inspektores së ndërtimit në korrik të 2019-s arriti në konkludim për rrëzimin e objektit të Abi Çarshisë, “duke ditur se nuk kanë të drejtë të bëjnë rrënimin e objektit të të dëmtuarit, meqë është në kundërshtim me vendimit e MMPH të datës 27.08.2018, përveç inspektimeve që kanë kryer në objektet”.
“Të akuzuarit, me datë 19.07.2019, me pjesëmarrjen e tyre aktive, realizojnë rrënimin e aneks objektit “Abi Çarshia” duke ditur se i dëmtuarit ka dorëzuar aplikacionin për legalizim”, thotë njoftimi i Gjykatës.
Sipas këtij njoftimi, dyshja e komunës së Prizrenit, “veproi në kundërshtim me Ligjin nr. 06/L024, për trajtimin e ndërtimeve pa leje, dhe atë Neni 6 dhe 11, par. 6 në kundërshtim me nenin 5,6 dhe 7 të Udhëzimit Administrativ nr. 06/19, të datës 12.07.2019, Ligjin mbi procedurën e përgjithshme Administrative si dhe vendimeve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nr. A213/18 si dhe A-179/19, me të cilën janë anuluar aktvendimet të Drejtorisë së Inspektorateve Komunal i ndërtimtarisë në Prizren”.
Më tej thuhet se “u obliguan organet Komunale në Prizren të veprojnë konform ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe Udhëzimeve Administrative në fuqi, andaj të akuzuarit duke mos i përfillur vendime te Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi, me ç ‘rast gjatë rrënimit shkaktojnë dëm”.
Gjykata e Prizrenit konstatoi sot se dy ish-zyrtarët kanë kryer penale keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar nga neni 414 par. 1-1 lidhur me nenin 31 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kësisoj, Thaqin dhe Vrenezin i dënoi me 3 vjet burg dhe 2 mijë euro.
Ndërsa zyrtarët e tjerë që ishin përfshirë në aktauzë, Gjykata i liroi nga akuzat.
“Të akuzuarit – E.M.-Th., A.T., I.B., dhe Sh.K., LIROHEN NGA AKUZA, ngase nuk është provuar se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar nga neni 414 par. 2 lidhur me par.1 dhe neni 31 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e sotëm të gjykatës së Prizrenit.
I dëmtuari “Abi” Sh.P.K., për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt civil.
Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Kymete Kicaj, në pika të shkurtra ka arsyetuar dënimin e shqiptuar duke sqaruar se në bazë të administrimit të provave, duke analizuar veç e veç secilën provë materiale, deklarimet e dëshmitarëve dhe mbrojtjen e të akuzuarve, Gjykata ka gjetur se të akuzuarit Thaq (në cilësi të Drejtorit të Drejtorisë së Inspektoratave) dhe Vrenezi (në kuadër të zyrtares pranë Drejtorisë së Inspektorateve), duke vepruar me dashje direkte tejkalojnë autorizimet e tyre ligjore. /Gazetaexpress