Gjyqtari francez, Nicollas Guillou, është një prej figurave më të njohura në Kosovë nga Gjykata Speciale në Kosovë. Kjo pasi për gati 3 vjet, secila seancë e mbajtur në rastin e krerëve të UÇK-së u drejtua nga francezi Guillou.
Madje, ishte pikërisht ky gjyqtar i cili konfirmoi aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. I njëjti, dha urdhër edhe për arrestimin e katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjyqtari francez është në panelin gjyqësor që pritet të vendosë lidhur me urdhër-arrestin ndaj kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe liderëve të Hamasit.
Por, si erdhi puna deri këtu?
Gjyqtari francez që nga themelimi i Dhomave të Specializuara, është aktiv në të gjitha proceset e hapura si gjyqtar i procedurës paraprake. Në muajin dhjetor të vitit 2023, Gjykata Speciale njoftoi se Guillou është përzgjedhur si gjyqtar edhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Që nga atëherë, Guillou, vazhdoi duke mbajtur të dy pozitat. Edhe në Gjykatën Speciale edhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Pavarësisht kërkesës nga mbrojtja e Hashim Thaçit për përjashtimin e tij, gjyqtari francez vazhdon punën në të dyja institucionet.
Por, një kërkesë e re për përjashtimin e tij erdhi pak ditë më parë. Mbrojtja e Thaçit insistoi se Guillou duhet të largohet, duke njoftuar se ai është caktuar në mesin e gjyqtarëve që do të vendosë lidhur me urdhër-arrestin ndaj kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ministrit të Mbrojtjes në Izrael, dhe liderëve të Hamasit.