Nganjëherë disa pyetje që bëhen në intervistat e punës janë të atilla që i lënë “pa përgjigje” për një kohë kandidatët. Pyetjet e tilla si “A do të doje më parë të respektoheshe apo të pëlqeheshe në punë” i bëjnë aplikantët që ta pyesin veten se cila do të ishte përgjigja e duhur, për shkak se të dy zgjedhjet tingëllojnë në rregull. Ky lloj i pyetjeve tregon sesi do të bashkëveproni me kolegët dhe konsumatorët.
Kjo pyetje nuk ka ndonjë përgjigje që mund të thuhet se kjo është e duhura, por zgjedhja duhet të bëhet në bazë të punës për të cilën po intervistoheni. Akademi Pune, ju drejton me disa këshilla që t’i keni parasysh kur përgatiteni për këtë përgjigje.
Si të përgjigjeni?
Në shumicën e pozitave, të qenurit i respektuar është diçka që thekson edhe duket si më afër aftësisë dhe produktivitetit. Por, faktor i rëndësishëm pët t’u marrë parasysh është edhe natyra e lidhjeve që ndërtoni me kolegët.
Kur të flisni për respektin?
Nëse intervistoheni për pozita menaxheriale dhe ekzekutive, duhet të përqendroheni në të qenurit i respektuar, pra kjo duhet të jetë prioritet për ju në mënyrë që punonjësit t’i marrin parasysh direktivat tuaja. Sigurohuni gjithashtu, që të tregoni se i kuptoni lidhjet reciproke të natyrës profesionale dhe personale!
Kur të flisni për pëlqimin?
Në pozitat ku puna ekipore dhe kolegialiteti janë shumë të rëndësishme, mund të përqendroheni në interesin për të qenë të pëlqyer më shumë, për të krijuar harmoni brenda grupeve të punës.
Nëse po intervistoheni gjithashtu për pozita në të cilat duhet kontakt i vazhdueshëm me klientë, në të cilat duhen gjithashtu raporte sa më pozitive me ta, duhet ta përmendni përfitimin që ka të qenurit i pëlqyer, për ta përmbushur detyrën.
Kur duhen pëlqimi dhe respekti së bashku?
Shumica e intervistuesve e pranojnë edhe përgjigjen në të cilën përmendet vlera e të qenurit i pëlqyer dhe i respektuar, në të njëjtën kohë. Por, duhet të jeni të gatshëm të flisni për rëndësinë e njërës apo tjetrës!
Pjesa më e vështirë është ta lidhni secilën përgjigje me diçka që përputhet me pozitën që keni aplikuar.
Shembull: Në punë do të doja të isha më shumë i respektuar! Suksesi im si shitës lidhet me aftësinë për t’i shqyrtuar problemet dhe nevojat dhe për t’i zgjidhur ato. Kur u krijua respekti, pashë që konsumatorët e mi vazhdonin të ktheheshin për shërbime shtesë. Por sigurisht, dua që klientët e mi të më pëlqejnë po ashtu. Për këtë bëj gjëra të vogla si për shembull, u sjell atyre ushqimin e preferuar, ose i marr dhe bëjmë ndonjë shëtitje, kështu që i shohin edhe vlerat personale të lidhjes sonë. / KP