Si në filma/ I kërkuari nga Policia shkakton aksident, iu ikë policëve para syve, hidhet nga dritarja e QKUK-së

- in Lajme

Një skenar ikjeje si në filma ka ndodhur dje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku një person i kërkuar nga Policia e Kosovës arriti të zhduket para syve të zyrtarëve policorë nga dhoma ku po trajtohej, për shkak të lëndimeve që kishte pësuar, pasi kishte shkaktuar një aksident, raporton Gazeta Sinjali.

Aksidenti i trafikut që ndodhi gjatë ditës së djeshme në Komoran, u bë ‘sebep’ që Policia fillimisht ta kap të dyshuarin që ishte shpallur në kërkim policor me urdhër të Gjykatës, si i dyshuar për kryerjen e një vepre penale. Burimet e Sinjalit brenda QKUK-së kanë bërë të ditur se në momentin që është konfirmuar se i dyshuari po kërkohej, zyrtarët policorë kanë kërkuar asistim të njësive policore për ta siguruar të dyshuarin.

Por siç duket nuk ia arritën. Burimet thonë se derisa Njësia e Hetimeve ka qenë rrugës për në Emergjencën e QKUK-së, i dyshuari ka shfrytëzuar dritaren e sallës ku po trajtohej dhe pa një pa dy, është hedhur në tokë dhe ka ikur.

Kjo ka bërë që të aktivizohen disa patrulla policore për ta kapur të dyshuarin, por i njëjti ka ikur në një drejtim të panjohur dhe ende nuk është bërë lokalizimi i vendndodhjes së tij.

/GazetaSinjali/