Shumica e shkollave në Prishtinë s’i kanë zëvendësuar orët e humbura në grevë

- in Lajme

Në shumicën e shkollave në komunën e Prishtinës nuk janë zëvendësuar orët e humbura gjatë grevës. Këtë e ka konfirmuar drejtoresha e Arsimit, Besianë Musmurati.

Ajo tha se orët nuk janë mbajtur për shkak që prindërit nuk i kanë dërguar fëmijët e tyre në shkolla edhe pse i gjithë stafi i mësimdhënësve ka qenë prezentë të shtunave.

“Fatkeqësisht shumë pak, orët në shumicën e shkollave nuk janë mbajtur të shtunave për shkak që prindërit nuk i kanë dërguar fëmijët e tyre në shkolla. Gjithë stafi i mësimdhënësve ka qenë në shkollë të shtunave. Kështu që është një situatë më të vërtet e re edhe mund të them edhe deri diku e çuditshme sepse deri më tani nuk kemi pasur këso lloj zhvillimesh kështu që po shpresoj që Ministria e Arsimit ka me dal me një plan që të na tregoj se si të zëvendësohen orët e humbura sepse përfundimisht ato janë orë të humbura”, tha ajo.

Musmurati tha se orët e humbura duhet që patjetër të zëvendësohen, por që Ministria e Arsimit do të duhet që të konsultohet  së pari me shkollat dhe prindërit.

“Po patjetër, unë mendoj që orët duhet që të zëvendësohen, sepse orët janë humbur. Unë mendoj që ministria e Arsimit është dashtë që të konsultohet me komuna, dhe komunat pastaj të konsultohen me shkolla, që shkollat vetë ta vendosin një lloj orari kur është më i përshtatshëm edhe kur mund të zëvendësohen orët gjatë javës sepse shumë shkolla e kanë komoditetin që të mbajnë orë shtesë gjatë ditëve të javës edhe ndoshta me kombinuar me ndonjë vikend, por gjithmonë në bashkëpunim me prindërit. Edhe mendoj që po të decentralizohej ky proces më shumë e të mos mbahej gjithçka në nivel të ministrisë pa konsultim fare me komunat, mendoj që e ka dhënë rezultatin e vetë. Një mësim i mirë ka qenë nga greva se jo bashkëpunimi nuk është sjellje që duhet ti qoj përpara qoftë nivelin komunal, qoftë niveli qeveritarë. Unë mendoj që vetëm me bashkëpunim me të gjithë akterët mundemi me arrit rezultate më të mira. Mendoj që mund të organizohej më mirë po të ishin shkollat ato që do ta vendosnin vetë”, tha ajo për eo.

/GazetaSinjali/