Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për subvencionimin e qytetarëve që zëvendësojnë ngrohjen elektrike me alternativa tjera, raporton Gazeta Sinjali.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha në konferencë për media se nga sot është hapur thirrja për subvencionim për pajisje efiçiente ekonomike për ngrohje për qytetarët, në vlerë të 6 milionë eurove.
Rizvanolli tha se aplikimi për këto masa do të bëhet online përmes platformës e-Kosova.
“Nga sot kemi hapur thirrjen për subvencionim për pajise efeçiente ekonomike për ngrohje për qytetarë në vlerë prej 6 milionë euro. Kaldajat me biomasë, dru pelet, briket që do të subvencionohen në vlerë deri në 70 për qind të vlerës së investimit, ose 1200 euro. Kondicionerët efiçient do të subvencionohen deri në 400 euro, stufat individuale me 90 për qind, deri në 560 euro. Aplikimi për këto masa bëhet online përmes platformës e Kosova. Ne duam të ndihmojnë qytetarët që zëvendësojnë ngrohjen elektrike me pajisje të tjera. Me këto masa synojmë të përkrahim 10 mijë familje. Këto familje do të përfitojnë shumëfish, e para direkt nga subvencioni për pajisje, kursimi në faturat e energjisë elektrike, familjet që kursejnë energji elektrik përfitojnë shtesë subvencionim”, u shpreh Rizvanolli.