Shteti i Kosovës ka paraparë të shpenzojë edhe 4.6 milionë euro për blerjen e veturave të reja. Ky vendim vjen pas një periudhe të shkurtër pas njoftimit dhe realizimit të një tenderi për të njëjtin qëllim. Por, a është ky shpenzim një përparësi në krahasim me nevojat e tjera urgjente të shtetit, si arsimi, shëndetësia, infrastruktura?
Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) ka bërë një ‘njoftim paraprak’, ndërkohë që pas pak ditësh pritet të hapet tenderi për “Furnizim me vetura për institucionet e Republikës së Kosovës”, shkruan Demokracia.com.
“Njoftimi Paraprak” bëhet për procedurat tenderuese të vlerave të mëdha dhe, pas përgatitjes së planifikimit final të prokurimit, zyrtari përgjegjës i prokurimit do të verifikojë nëse autoriteti kontraktues synon të bëjë dhënien e kontratave gjatë periudhës së ardhshme 12-mujore.
Për këtë procedurë të prokurimit janë ndarë fiks 4,665,000.00 euro. Janë vendosur 11 modele të veturave, por nuk është njoftuar se për cilat institucione u duhen ato.
Ky njoftim i ri ka ardhur pak kohë pasi i njëjti institucion, AQP-ja, ka realizuar një kontratë për furnizim me vetura për institucionet publike në disa lote, duke lidhur kontrata në një vlerë prej rreth 3.5 milionë euro. Parashikimi i AQP-së ishte që të lidheshin kontrata në vlerë prej 6.9 milionë euro, por disa pjesë të tenderit kanë dështuar. Kontrata e fundit e këtij tenderi është lidhur në maj të këtij viti.
Të gjitha institucionet publike kanë kontrata për mirëmbajtjen e veturave, që shkojnë në vlerë miliona euro. Po ashtu, vetë AQP-ja para pak muajve ka lidhur disa kontrata edhe për marrjen me qira të veturave, që shkon në disa miliona euro. Tash, AQP-ja ka marrë kërkesa nga institucionet publike për tender për vetura të reja. Por, a do të ndihmojë ky investim në rritjen e efikasitetit dhe kursimeve afatgjata për shtetin? /Demokracia.com/