Shteti lë pacientët pa insulina, Krimet Ekonomike hetojnë tenderin milionësh

- in Shëndetësi

Refuzimi mbi dy-vjeçar i ministrit të Shëndetësisë për nënshkrimin e tenderit për insulina ka aktivizuar Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës. Hetuesit e policisë po e hetojnë refuzimin e zyrtarëve shtetërorë për mos nënshkrimin e kontratës, ka mësuar Paparaci nga burime brenda organeve të rendit. Ministri i Shëndetësisë po refuzon ta nënshkruajë tenderin përkundër urdhrit të OSHP-së për procedim të kontratës.

Gjykata e Apelit e ka hedhur poshtë padinë e Ministrisë së Shëndetësisë kundër Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), e cila ka insistuar që MSh-ja të procedojë me tenderin për insulina.

Aktvendimi i Apelit, i cili vërteton ligjshmërinë e aktit të vendimit të OSHP-së, është nxjerrë më 23 shkurt të këtij viti, por është publikuar sot në uebfaqen e OSHP-së.

Sipas vendimit, Ministria e Shëndetësisë e ka humbur për herë të dytë kontestin ligjor me OShP-në. Më parë, në janarin e këtij viti, edhe shkalla e parë e gjykatës vendosi kundër padisë së MSH-së dhe kërkesës së saj për shtyrje të ekzekutimit të vendimit për tenderin për insulina.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e paditëses – propozueses Ministria e Shëndetësisë, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative A.nr.2954/2022, i datës 10.01.2023, vërtetohet”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Apelit e ka gjykuar si të rregullt dhe të pabazuar aktvendimin e Themelores, duke i hedhur poshtë pretendimet e Ministrisë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të OSHP-së.

Tenderi për furnizim me insulina është hapur në fund të vitit 2020. Por, dy llote të saj (1 dhe 3) janë anuluar nga Ministria e Shëndetësisë në tetor të vitit të kaluar. Dy llotet e kësaj kontrate vlenin rreth pesë milionë euro.

Kompanitë fituese të dy lloteve 1 dhe 3, të cilat ishin ankuar kundër vendimit të MSh-së për anulimin e kontratës, kanë fituar rastin në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

OSHP-ja, në një vendim të publikuar në fund të vitit 2022, kishte aprovuar ankesën e fituesit të tenderit, “Pharma Leader” L.L.C.. Kishte anuluar vendimin për anulimin e tenderit për insulina dhe kishte urdhëruar Ministrinë e Shëndetësisë që ta rikthente tenderin në rivlerësim.

Më shumë se dy vjet pas inicimit të tenderit, ish-ministri Rifat Latifi dhe ministri aktual Arben Vitia kanë refuzuar të procedojnë me nënshkrimin e kontratës për furnizim me insulina.

Derisa tenderi është kontestuar në gjyq, institucionet e shëndetit publik në vend po vuajnë mungesën e insulinave.

Kjo situatë ka aktivizuar hetuesit e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, ka mësuar Paparaci nga burime brenda policisë. Policia po e heton refuzimin e zyrtarëve shtetërorë për mos-nënshkrimin e kontratës.

Për rrezikimin e shëndetit publik nga procesi i këtij tenderi kanë alarmuar publikisht javëve të fundit edhe ministri Arben Vitia dhe kryeministri Albin Kurti.

Ministri Vitia ka thënë të mërkurën se po ballafaqohen me presion të madh nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) dhe Prokuroria e Shtetit për nënshkrimin e tenderit me insulina, pa autorizim marketingu.

Në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ai ka akuzuar OSHP-në për ndërmarrjen e vendimeve “të jashtëligjshme të cilat rrezikojnë shëndetin publik”.

“OSHP-ja dhe Prokuroria kanë ndërmarrë veprime të koordinuara për të bërë presion mbi Ministrinë e Shëndetësisë, që kontrata t’i nënshkruhet një operatori i cili nuk ka, madje as nuk ka aplikuar, deri më tani për autorizim-marketing, i cili është obligativ sipas Ligjit për pajisje dhe produkte medicinale”, ka thënë Vitia.

Në mbledhjen e së mërkurës, kabineti qeveritar propozoi shkarkimin e Kimete Gashit, anëtares së OSHP-së.

Kryeministri Kurti tha atë ditë se Kimete Gashi si udhëheqëse e panelit të OSHP-së në marrjen e vendimit për procedim me tenderin për furnizim me insulina, “ka rrezikuar shëndetin publik të qytetarëve tanë”.

“Shëndeti publik po rrezikohet nga vendimi i OSHP-së për furnizimin me insulina. Bazuar në vendimin në fjalë, lejohet importi i insulinave pa autorizim-marketing që shpie direkt në rrezikim të shëndetit të qytetarëve tanë që kanë nevojë për insulinë. Qeveria ka për detyrë të jetë e përgjegjshme e të shmangë çdo rrezik që u kanoset qytetarëve, në veçanti kur bëhet fjalë për shëndetin”, ka thënë Kurti.

Shkarkimi i Kimete Gashit pritet të kalojë në komisionet parlamentare para se të shqyrtohet nga deputetët në Kuvendin e Kosovës./Demokracia