Biznesmenët nga Kosova nuk e kanë ndalur asnjëherë importin me Serbinë. Por, shqetësues bëhet fakti kur shteti i Kosovës, në mënyrë të organizuar, kontrakton kompani atje për të blerë mallra. Dogana e Kosovës ka kontraktuar një kompani në Beograd për ta furnizuar me disa pajisje, shkruan Demokracia.com.
Dogana e Kosovës, e cila është nën juridiksionin e Qeverisë së Kosovës, po mëton të lidh tri kontrata për “Furnizimin e laboratorit me pajisje analizuese”, ku vend i dërgesës është Laboratori Doganor – magjistralja Prishtinë – Fushë Kosovë. Tashmë janë shpallur fituesit për tri lote në një vlerë afro 100 mijë euro.
Demokracia.com ka gjetur se njëra prej kompanive në konsorcium për lot 1 dhe lot 3 është në pronësi të biznesmenëve nga Beogradi i Serbisë. Bëhet fjalë për kompaninë “Mc Labor doo”.
LOT 1 ka të bëjë me furnizimin me pajisje për përcaktimin e viskozitetit kinematik sipas metodës ISO 23581. Për këtë pjesë të tenderit, për kontratë është rekomanduar Grupi i Operatorëve Ekonomik, kompania nga Prishtina N.T.SH. BIZUN, dhe kompania në konsorcium me të, që është nga Beogradi, “Mc Labor doo”. Vlera e këtij loti është 69,561.00 euro.
LOT 2 ka të bëjë me furnizimin me mikroskop laboratorik për tekstile dhe mostra të tjera, me kamera. Kompania e rekomanduar për kontratë është “Flamur Isufi B.I.” nga Prishtina, e cila ka ofertuar me një çmim prej 19,900.00 euro.
Ndërsa LOT 3 ka të bëjë me furnizimin me “Termometër/sondë metalike për modelin e instrumentit të distilimit Anton Paar Diana 700”. Edhe këtu për kontratë janë rekomanduar N.T.SH. BIZUN dhe kompania në konsorcium nga Serbia “Mc Labor doo”. Vlera e kësaj pjese tenderuese është 4,956.00 euro.
Kjo situatë ngre shqetësime për disa arsye të rëndësishme. Së pari, marrëdhëniet e tensionuara politike dhe historike midis Kosovës dhe Serbisë mund të krijojnë pasiguri në bashkëpunimin ekonomik. Së dyti, kontraktimi i kompanive serbe nga institucionet e Kosovës mund të perceptohet si një dobësim i pozitës së Kosovës dhe një injorim i përpjekjeve për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme dhe të pavarur. Për më tepër, ka shqetësime për transparencën dhe sigurinë e të dhënave dhe mallrave që mund të kalojnë nëpër këto kanale të bashkëpunimit. /Demokracia.com/