Ka ndërruar jetë Xhavit Ferizi, i njohur si Raketa.
Raketa ishte nga fshati Plluzhinë e Skenderajt.
Lajmin e vdekjes së tij e ka kumtuar familja në një njoftim mortor.
“Me pikëllim të thellë e zemër të thyer, të dashur familjar, miq e dashamirë, ju njoftojmë se sot në mëngjes ka ndërruar jetë babai jonë Xhavit Ferizi – Raketa, duke na lënë përjetësisht të pikëlluar por keenar që jemi gruaja dhe fëmijët e tij”, thuhet në njoftimin e familjes.
Lajmin e kanë bërë të ditur familja e tij, duke theksuar se ai fitoi shumë beteja, por e humbi betejën me kancerin.
Ferizi njihet për afërsinë e tij me ish-presidentin e ish-kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Duke nisur që nga koha e luftës, Raketa ishte truproja i afërt i Thaçit.
Ferizi ishte gjithashtu figurë e njohur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Drenicës.
Pas ngritjes së aktakuzës në rastin e krerëve të UÇK-së, Raketa përmendet në një dokument të Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ishte i vendosur në shtëpinë e Xhavit Ferizit.
Në pothuajse të gjitha pamjet ku shihej ish-presidenti e kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ai shihej nën shoqërinë e Raketës.
Fillojnë ngushëllimet
Për vdekjen e Ferizit, ka shprehur ngushëllime nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, teksa ka publikuar një fotografi e cila duket të jetë realizuar shumë kohë më parë.
“Raketë, Spo mundem me besu që nuk je më. Në fakt, kam besu që njerëzit si ti nuk na lënë kurrë. Epik. I madh. I pashëm. I guximshëm. I drejtë. Luftëtar. Legjendë. Pusho në qetësi. Kam me të kujtu përjetë”, ka shkruar Çitaku.
Për vdekjen e tij kanë lajmëruar edhe njerëz të tjerë të afërt me të ndjerin.
Milaim Cakiqi, mik i ngushtë i ish-presidentit Thaçi, ka shkruar se ‘Raketa’ e ka fituar çdo betejë, në luftë e në paqe.
“Por, jo edhe betejën me kancerin. Do të më mungojnë shumë muhabetet e orëve të vona, Raketë. Do të na mungosh të gjithëve, vëlla! Fatkeqësisht, vdekja na ndau! U prehsh në paqe Xhavit FERIZI, mik i mirë dhe besnik!”, ka shkruar ai.
Për vdekjen e tij, ka reaguar edhe gazetari Berat Buzhala.
“Kurre ne jete nuk kam takuar edhe nje person tjeter qe e kishte çehren kaq te rende dhe te frikshme e zemren kaq te bute dhe te ngrohte. Shpeshhere i kam thene qe dukej si senator romak. Ishte epik. Krejtesisht i heshtur kur ishte para kamerave dhe ne detyre, absolutisht i kendshem ne tavoline dhe ne ndeja miqesore. Nuk e kam asnje dyshim qe arrestimi dhe burgosja e Thacit e lendoi Raketen. E kam takuar edhe gjate ketyre tri viteve. Dukej i humbur. Sikur ky kishte pergjegjesi qe ia moren personin qe e kishte mision jetesor”, ka shkruar ai./Demokracia