Situata në Kuvend është shtensionuar. Deputetët e PDK-së e kanë liruar foltoren, kurse zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili u përfshi në përleshjen fizike paradite, ka lëshuar sallën e Kuvendit. E pas tij edhe ministri Hekuran Murati.
Ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca ka vazhduar me leximin e pikave të rendit të ditës.
Deputetja Eliza Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se me largimin nga salla e Kuvendit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi janë normalizuar kushtet për vazhdimin e seancës.
Sipas PDK-së, Bislimi ishte nxitësi kryesor i dhunës që ndodhi sot në Kuvend.
“Sot si grua, jo vetëm në Parlament, por edhe në Kosovë, në shtëpinë e fjalës së lirë, u ndjeva shumë keq. Këto skena i kam përjetuar dikur jashtë, tash u ndjeva keq. Në shtëpinë e fjalës së lirë, deputetët duhet të lejojnë të bëjnë punën e tyre. Nxitësi kryesor i dhunës, Bensik Bislimi, më vjen mirë që e lëshoj sallën. Rezistenca jonë ka qenë që ai dhe të tjerët ta marrin vesh se nuk mund të ofendojnë në çfarëdo mënyre që e mendojnë. Tani janë kushtet normale për me u vazhdu seanca. Jo me u vazhdu seanca me polici brenda sepse është shkelje e rregullores”, ka thënë ajo në Kuvend.
Hoxha e ka ftuar kryeministrin Albin Kurti për çështjet që janë ngritur më herët, “për Radojçiqin dhe instrumentin e tij, Mimoza Kusari-Lilën”.
Seanca është duke vazhduar.