SHPALLJA NON GRATA NGA SHBA, BERISHA DORËZON PADINË NË GJYKATËN E PARISIT

- in Shqipëri

Ish-kryeministri Sali Berisha është deklaruar për padinë e ngritur në Gjykatën e Parisit për vendimin e DASH për ta shpallur “non grata” së bashku me familjen.

Berisha në konferencën për media tha se pas vendimit të sekretarit të Shtetit Amerikan, Antony Blinken, avokati i tij javën e kaluar ka dorëzuar padi.

“Së pari ju falënderoj që jeni sot të pranishëm në këtë konferencë të cilën unë e kam thirrur për t’ju njoftuar ju se avokati im ka dorëzuar padinë time për shpifje në Gjykatën e Parisit. Siç ju kam njoftuar më parë se pas vendimit të Antony Blinken për të më shpallur non grata mua, bashkëshorten dhe dy fëmijët e mi bazuar në lobimin e Edi Ramës dhe George Soros, autorizova avokatin tim të ngrejë padi në Gjykatën e Parisit. Javën e kaluar, avokati ka dorëzuar padinë. Sipas avokatit tim, kjo padi bazohet në precedentë të mëparshëm dhe në parimin universal se për shpifjen nuk hyn në funksione zyrtare dhe imuniteti në raste shpifjesh nuk konsiderohet si mburojë. Shpifja në internet dënohet kudo ku del lajmi. Gjithçka varet nga interpretimi i gjykatës”, tha Berisha.

Ai tutje tha se “I bëj thirrje Blinken që të dërgojë çdo fakt, dokument dhe provë që ai apo çdokush tjetër në botë disponon kundër Sali Berishës dhe familjarëve të tij. Në këtë rast dëshiroj t’ju informoj se sot pas 77 vitesh jetë, kjo është hera e parë që unë i drejtohem një gjykate dhe kurrë nuk kisha imagjinuar se do të detyrohesha të ngrija padi ndaj sekretarit të një vendi që e admiroj kaq shumë. Kërkoj të mbroj dinjitetin tim dhe familjes time e shqiptarëve që i kam përfaqësuar me dinjitet. Kjo padi është vlerë e shenjtë për mua dhe çdo njeri të lirë të çdo vendi të botës”.

Përmes kësaj padie Berisha po synon që të kërkoj transparencë ndaj shqiptarëve, sic tha ai të provoj se vendimi ndaj tij ka qenë politikë dhe i pa bazë.

“Me këtë padi kërkoj të bëj transparencë ndaj shqiptarëve dhe të provoj se ky vendim është fund e krye politikë, pa asnjë bazë. Me gjithë kërkesën e paraqitur drejtuar Blinken për të bërë publike cdo fakt që disponon, por edhe kërkesat e mediave që të faktojë akuzat ndaj meje, deri sot nuk është paraqitur se ato nuk ekzistojnë. Kjo dëshmon se është shpifje. George Soros dhe Edi Rama, kjo është një shpifje nga ana e tyre, dhunimi i zgjedhjeve nga Edi Rama, lidhja me drogën, pasurinë e paligjshme dhe korrupsionin. Në veçanti, ky vendim është hakmarrje politike. Mungesa e transparencës fakton që është politikë. Unë nuk kam ngritur padi kundër hakmarrje politike, por kam ngritur padi për shpifje. Në këtë planet nuk ekziston njeri apo institucion, shqiptar apo i huaj që fakton korrupsionin për Sali Berishën”, tha ai, shkruan /KP