Kryetari i FC Ferizajt, Lulzim Abazi, po dyshohet se e ka përbuzur në mënyrë racore futbollistin e vet me ngjyrë Moussa Kamara, duke e quajtur majmun, pasi ai s’e kishte pranuar kërkesën e tij për të qëndruar në klub edhe për disa ditë të tjera pas skadimit të kontratës, për ndeshjen e fundit të klubit në pjesën e parë të këtij sezoni në Superligë.
Kamara, 23 vjeç, kishte nënshkruar marrëveshje afatshkurtër me Ferizajn, nga 6 tetori 2022 deri më 20 nëntor 2022, dhe vendosi përfundimisht të largohej pas skadimit të saj, para se të abuzohej nga kryetari i klubit për mosvazhdimin e saj, raporton Gazeta Nacionale.
Kamara, ish-përfaqësues i Gambisë, i zhvilloi vetëm shtatë ndeshje për Ferizajn dheu largua në mënyrën më të keqe të mundshme kah fundi i nëntorit.
E gjitha filloi me këmbënguljen dhe përpjekjet dëshpëruese të presidentit të Ferizajt Abazi për ta pasur patjetër Kamaran për ndeshjen kundër Dukagjinit, një duel i drejtpërdrejt për mbijetesë, më 26 nëntor, e fundit për pjesën e parë të sezonit 2022/23, dhe ngurrimin e lojtarit për të luajtur pa kontratë.
Kamara ishte pa kontratë nga 20 nëntori dhe donte të largohej më 21 nëntor, ditën e bisedës së incizuar, pavarësisht se Abazi ia ofroi edhe 200 euro shtesë për të qëndruar për pesë ditë të tjera dhe për të luajtur kundër Dukagjinit.
“Ne i ndërpresim të gjitha bisedat, sepse ti nuk dëshiron të bëhesh djalë i mirë.Unë luaj edhe pa ty, ti do t’i marrësh paratë vetëm për 14 ditë tani – nga 6 deri më 21 – edhe ec të shpija. Banesën duhet ta lirosh nesër, në banesë nuk do të rrish më”, dëgjohet Abazi në incizim duke i thënë Kamaras në shqip. Fjalët e tij përktheheshin në anglisht nga drejtori i klubit Betim Isufi.
Abazi pastaj dyshohet se e kërcënoi futbollistin e lindur në Paris se do ta pezullonte në FIFA dhe UEFA.
Kontrata e Kamaras me Ferizajn ngre edhe disa pikëpyetje, pasi një e tillë aq afatshkurtër nuk lejohet me rregulla të FIFA-s dhe vetë FFK-së. Marrëveshja mes lojtarit dhe klubit s’u bë publike asnjëherë, sepse u arrit në tetor pas mbylljes së afatit kalimtar veror dhe Abazi është i vetëdijshëm për këtë.
Kamara – dikur pjesëtar i të rinjve dhe pastaj i ekipit të dytë të Toulouse në Francë – ia kthen: “Dhe unë do ta bëj të njëjtën”.
Kur Kamara i kërkon përkthyesit t’ia bëjë me dije Abazit se ai i di të gjitha dhe se ai ka avokatin e vet, ky i fundit me nervozizëm i bërtet atij: “Mbaroi, mbaroi. Jashtë, jashtë. Thuaji që mund të ecë. Nesër duhet ta lirojë banesën.”
Kamara do të largohej me kënaqësi, por po priste pagën e premtuar me kontratë: “Nuk ka problem, unë ec nëse i marr paratë e mia.”
Abazi – i cili u emërua president i Ferizajt më 2021, pastaj tha: “Nuk ka para”.
Kamara: “Natyrisht që ka para. Allahu është i madh.”
Abazi: “Ani shko me Allahun.”
Biseda filloi të përshkallëzohej dhe kaloi në racizëm kah fundi kur më sa duket Abazit iu sos durimi dhe e kuptoi se Kamara nuk do të qëndronte. Ai e humbi toruan dhe filloi ta cilësojë Kamaran si djalë të keq, mysliman të keq dhe mashtrues, para se ta quante majmun.
“Ti nuk je njeri i mirë. Ti je djalë i keq, mashtrues je. Ti nuk je mysliman. Ec, hajde. Hajde në p*dh të nanës. Nesër banesën me lëshu. Nuk të lejoj më në banesë. Shko në Francë lypi paratë prej Francës. As biletën e aeroplanit nuk ia paguaj”
“Pesë ditë ti problem mua a? Në p*dh të nanës, hajde ec. Në p*dh të nanës shko, majmun”.
Kamara e dinte paraprakisht kuptimin e fjalës majmun dhe i reagoi menjëherë Abazit, siç dëgjohet në incizim, duke e konfrontuar: “Majmun a? Monkey a?”