Shko eja si Adem Peja: Udhëtim tre ditorë i zbehtë i Kurtit në SHBA

- in Lajme

Kryeministri i vendit Albin Kurti, pas një qëndrimi tre ditorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), është kthyer në Kosovë.

Ai për këto tri ditë nuk është takuar me ndonjë zyrtarë të lartë amerikanë, shkruan Gazeta Metro.

Kurti kishte ftesën nga familja Albright, për ceremoninë e varrimit të ish-sekretares së SHBA, Madeline Albright, e cila ndërroj jetë pak javë më parë.

Ai atje kishte udhëtuar me presidenten Vjosa Osmani.

Për dallim nga presidentja e cila kishte një agjendë më të ngjeshur të takimeve, kryeministri Kurti shumicën e takimeve i pati jo-formale.

Ai takime të shkurta e nga një foto ka arritur ta bëjë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ish-presidentin e SHBA’së, Bill Clinton, ish-zëvëndëspresidentin, Albert Gore, ish-sekretarët e Shtetit Hillary Rodham Clinton, Condoleezza Rice dhe John Kerry, si dhe ish-kongresistin Eliot Engel.

Por, tamam takim, ulur në zyre, ka zhvilluar vetëm me shoqen e tij, amerikanen Alice James, e cila është themeluese e ‘Kosova Action Network’ (KAN), organizatë kjo nga e cila më pas ka lindur edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Të vetmin takim formal Kurti e ka realizuar me këshilltarin e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Derek Chollet.

Kurti ka thënë se ka qenë i nderuar nga ftesa e këshilltarit të Departamentit të Shtetit.

“I nderuar nga Ftesa e Chollet në Departamentin e Shtetit, për takimin tonë të parë personal. Presim vazhdimin e bashkëpunimit dypalësh me SHBA për vlerat dhe prioritetet e përbashkëta”, ka shkruar Kurti.

Ky është takimi i parë dhe i fundit i Kurtit me një zyrtar amerikan sa ishte në SHBA.

Për kthimin e tij në Kosovë, ka njoftuar sot Zyra e Kryeministrit, ku ka bërë të ditur se ai ka bërë homazhe sot te Kompleksi Memorial i dëshmorëve në Marinë, të Skenderajt, në 23 vjetorin e rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra. /gazetametro.net