“Shkelje në projektin për kompleksin “Adem Jashari”, çka po pretendon kompania ankuese për tenderin 3 milionësh

- in Lajme

Renovimi i kompleksit memorial “Adem Jashari” mund të shtyhet edhe për një kohë, nëse Gjykata Komerciale do të gjejë shkelje në procedimin e tenderit që parasheh planin për zhvillimin e kompleksit në Prekaz , shkruan Demokracia.com.

“Ju edhe në përmendore të dëshmorëve në tendera vjedhni. Jeni hajna tipik, hajna klasik”, kjo ishte një ndër deklaratat më të bujshme të rrugëtimit politik të Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës. Në atë kohë, Kurti si opozitar akuzonte me fjalët më të rënda qeveritë e atëhershme për “vjedhje edhe në përmendore të dëshmorëve”. Vite më pas, kur pushteti mban emrin “Qeveria Kurti” me në krye Albin Kurtin, po dyshohet për shkelje në master-planin prej 3 milionë eurosh në kompleksin memorial “Adem Jashari”.

Tenderi ka mbetur në fazën e parë të vlerësimit dhe në kohë kur do të duhej që kompanitë të ofronin ofertat financiare për zhvillimin e master planit, ky projekt pritet të përfundojë në Gjykatën Komerciale. Të paktën kështu ka paralajmëruar kompania pjesëmarrëse në këtë garë “INSI”, e cila mëton se Organi Shqyrtues i Prokurimit po ia ndihmon Ministrisë së Kulturës që  kundërligjshëm të procedojë në këtë tender.

Demokracia.com ka parë të gjitha komunikimet zyrtare të ankesave dhe refuzimit të tyre që kanë  të bëjnë me këtë projekt.

Fillimisht, më 25 maj 2023, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur tender “Zhvillimi i master-planit për Kompleksion Memorial Adem Jashari, në Prekaz, në Komunën e Skenderajt, në  Republikën e Kosovës”. Vlera e parashikimit të  kontratës ka qenë 3 milionë euro.

Tenderi është vlerësuar në dy faza, ofertat teknike dhe ato financiare.

Më pas, tri herë, në qershor, korrik dhe shtator, ministria ka korrigjuar dosjen e tenderit për shkak se ka vendosur disa kritere në kundërshtim me ligjin. Më 1 drejtor 2023, ka hapur ofertat teknike, ku i ka renditur kompanitë  me shifra për numrin e pikëve.

Instituti i Shkencës dhe Teknologjisë “INSI” SH.P.K., më 06.12.2023 ka parashtruar kërkesë për Rishqyrtim pranë Autoritetit Kontraktues Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke prezantuar argumentet ligjore që si Operator Ekonomik pjesëmarrës nuk janë pajtuar me vendimin e Autoritetit Kontraktues, për vlerësimin e projektit ideor fillestar, nga i cili Grupi i Operatorëve Ekonomikë, Instituti i Shkencës dhe i Teknologjisë “INSI” SH.P.K., Tecnoengineering SRL, Daniele Lauria, Studio Lauria Network, Alb Architect SH.P.K., janë vlerësuar me 32.64%, renditur i dyti me më së shumti pikë.

Në Kërkesën për Rishqyrtim, INSI ka prezantuar argumentet e veta ligjore që si OE pjesëmarrës nuk është pajtuar me vendimin e AK për vlerësimin e projekteve ideore dhe përmes së cilës ka paraqitur shkeljet administrative – procedurale dhe shkeljet profesionale, të cilat po ashtu thotë se i ka vërejtur pas kërkesës për qasje.

Por, më pas kërkesën për rishqyrtim ia ka hedhur poshtë ministria.

Pastaj, “INSI” SH.P.K., si lider i konzorciumit ka parashtruar Ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke pretenduar se janë shkelur një sërë nenesh të Ligjit të Prokurimit. OSHP ka autorizuar dy ekspertë të vet për të shoshitur provat. Ata ia kanë hedhur poshtë ankesën kompanisë dhe kanë rekomanduar që ministria të vazhdojë tutje me këtë proces. Më pas ose në fund të muajit janar 2024 është mbledhur edhe Paneli i OSHP-së për të shoshitur raportin e ekspertit të vet dhe pretendimet ankimore të kompanisë ankuese. Edhe Paneli ia ka hedhur poshtë ankesën, duke e lenë në fuqi vendimin e ministrisë.

Me këtë vendim nuk është pajtuar kompania “INSI”, e cila po pretendon se OSHP-ja ia ka ndihmuar ministrisë që të qëndroi në shkelje, prandaj ka paralajmëruar se sot do të deponojë lëndë në Gjykatën Komerciale.

Çka po pretendon kompania ankuese?

Fillimisht, Grupi i Operatorëve Ekonomikë, Instituti i Shkencës dhe i Teknologjisë INSI SH.P.K., Tecnoengineering SRL, Daniele Lauria, Studio Lauria Network, Alb-Architect SH.P.K., në  20.09.2023 ka dorëzuar ofertën e saj për tenderin me titull: Zhvillimi i master-planit për Kompleksion Memorial Adem Jashari, në Prekaz, në Komunën e Skenderajt, në Republikën e Kosovës, me numër anonim katërshifror 1111, i cili pas hapjes së Dokumentacionit teknik – projektit ideor, është vlerësuar me 32.64%, renditur i dyti me më së shumti pikë.

Pas kërkesës për qasje më 04.12.2023, kjo kompani thotë se ka vërejtur tri lloje të shkeljeve:

Shkeljet administrative – procedurale;

Shkeljet profesionale;

Pretendime tjera

Zhvillimi i master-planit për Kompleksin Memorial Adem Jashari, në Prekaz, në Komunën e Skenderajt, në Republikën e Kosovës gjatë qasjes në dokumente nga ana e jonë (Shifra 1111) është vërejtur se ka shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, Rregullave 001/2022 dhe Udhëzuesit  001/

“Operatori Ekonomik Polis / ka bere shkelje të Rregullores 001/2022, përkatësisht neni 55.22 Informatat mbi numrin serik, datën, kohën dhe identitetin e zyrtarit pranues si dhe numrin katërshifror të zgjedhur nga pjesëmarrësi, për propozimet e pranuara me kohë, do të regjistrohen në formularin standard të aprovuar nga KRPP, Procesverbali i dorëzimit të tenderit pasi që ka zbuluar identitetin e vet, dhe Hapja dhe vlerësimi i projekteve 55.24 Pasi që identiteti i pjesëmarrësve nuk do t’i shpaloset jurisë, zyrtari përgjegjës i prokurimit do t’i hap zarfet e pranuara me kohë dhe do t’i ndajë zarfet që përmbajnë projektet ideore nga ato që përmbajnë dokumentacionin e kandidatit. Po ashtu ka shkelur LPP konkretisht nenin 80 paragrafi 2 të LPP-së theksohet tutje: 2. Juria do të vendosë mbi konkursin vetëm në bazë të kritereve të përshkruara në njoftimin për konkursin e projektimit. Identiteti i pjesëmarrësve nuk do të zbulohet para anëtarëve të jurisë”, thuhët në pretendimin e parë të ankesës së dorëzuar në OSHP.

Në pretendimin e dytë, kompania konsideron se  OE Polis – sipas Formularit të Dosjes se Tenderit (FDT) ka bërë shkelje të procedurave administrative ne LPP, pasi qe ka vepruar në kundershtim: 23.1 – Vendi: Projekti ideor duhet të dorëzohet fizikisht në Zyrën 020 në MKRS (e ndarë në një Origjinal dhe dy kopje) ashtu siç janë të përcaktuar me LPP dhe rregulloret tjera në fuqi. Ndërsa, dokumentacioni tjetër duhet të bashkëngjitet në formatin elektronik. Bazuar në dokumentacionin në qasje ne dokumente zyrtare, kemi vërejtur se shifra OE POLIS nuk ka bashkangjitur ofertën në mënyrë elektronike, përcjellDemokracia.com.

Tutje, INSI ka konsideruar që Shifra 2606 – sipas procesverbalit të takimeve (takimit 1) theksohet nga ana e jurisë profesionale se ofertat e kësaj shifre janë të gjitha në një pako. “Gjatë vizitës tonë në Sallën e Vlerësimit të ofertave kemi vërejtur se kjo shifër i ka të gjitha zarfet e hapura dhe përbën shkleje prapë të Ligjit të Prokurimit Publik dhe Rregulloreve pasi qe Oferta në Konkursin e Projektimit ishte: 1 Origjinal dhe 2 Kopje (Dy kopjet duhet te jene te mbyllura dhe hapen vetem ne procese gjyqesore ose me vendime te OSHP-së). Baza: Neni 55.15 dhe Neni 55.16 Zarfi që përmban Dokumentacionin e Kandidatit do të përmbajë: a. ekzemplarin origjinal të të gjitha kërkesave tjera, (emri, adresa, përshtatshmëria, kërkesat ekonomike/financiare dhe teknike, dhe nëse është e  zbatueshme, oferta financiare), e shënuar si Origjinal; dhe b. numrin e kërkuar të kopjeve të dokumentacionit të kandidatit. Pjesëmarrësi do ta mbyllë ekzemplarin origjinal të dokumentacionit të kandidatit dhe secilën kopje në zarfe të posaçëm dhe në faqen e përparme të secilit zarf do të: a. Shënojë qartë si Origjinali – Dokumentacioni i kandidatit ose Kopje – Dokumentacioni i Kandidatit; b. Shënoj numrin e Prokurimit sikurse ceket në dosjen e konkursit të projektimit; c. Një numër anonim prej katër shifrave sipas zgjedhjes së pjesëmarrësit; dhe d. Paralajmërimi mos e hapni me projektin Ideor”.

Tutje, kompania ankuese ka konsideruar se Shifra 2606 – sipas Formularit të Dosjes se Tenderit (FDT) ka bërë shkelje të procedurave administrative ne LPP, pasi qe ka vepruar në kundershtim: 23.1 – Vendi: Projekti ideor duhet të dorëzohet fizikisht në Zyrën 020 në MKRS (e ndarë në një Origjinal dhe dy kopje) ashtu siç janë të përcaktuar me LPP dhe rregulloret tjera në fuqi. Ndërsa dokumentacioni tjetër duhet të bashkangjitet në formatin elektronik. Bazuar në dokumentacionin në qasje ne dokumente zyrtare, kompania ankuese thotë se ka vërejtur se shifra 2606 nuk ka bashkangjitur oferten ne mënyre elektronike.

Po ashtu, kompania ka parashtruar edhe një serë  pretendimesh për shkeljet apo devijimet profesionale gjatë vlerësimit. Raporti i plotë  KËTU.

Raporti i ekspertit vlerësues KËTU, dhe raporti i Panelit KËTU.

Duke filluar qysh prej vitit 2021, Albin Kurti e Hajrullah Çeku u zotuan se do të formojnë një komision të posaçëm për renovimin e kompleksit Memorial “Adem Jashari”.

Madje, premtimet ishin që në fund të dhjetorit të vitit 2021 do të fillonin punimet në Prekaz. Kështu kishte bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e tretë të Komitetit Ndërministror për koordinimin e procesit, përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të implementimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Megjithatë, kaluan edhe pothuajse dy vite të tjera për t’u marrë hapa të ardhshëm në këtë drejtim.

Para 8 muajve, ministri Hajrullah Çeku përmes një postimi në Facebook kishte njoftuar se është shpallur konkursi për hartimin e Master Planit për Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.

“Ky është ndër proceset dhe projektet më delikate të Republikës sonë, kemi punuar me hapa të sigurt, pa u ngutur, por edhe pa humbur kohë. Nuk do të kursejmë asgjë për të pasur një kompleks memorial të përmasave botërore, çfarë është edhe figura e Adem Jasharit. Një kompleks memorial që do të rrëfejë dinjitetshëm dhe me standard të arrirë artistik rezistencën e popullit dhe luftën për liri, pavarësi e bashkim”, thuhej në njoftimin e ministrit Hajrulla Çeku. /Demokracia.com/