Shkarkohet kryeshefi i KEK-ut | Si e sulmonte Kurti, Prokurorinë, për Nagip Krasniqin, që ia arrestuan për korrupsion?

- in Lajme

Kryeministri Albin Kurti dhe deputetët e opozitës kishin polemizuar në prill të vitit 2023 në Kuvend lidhur me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Deri sa i ka dalë në mbrojtje Krasniqit, Kurti ka thënë se atij po i bëhet gjyqi në seancë të Kuvendit. Ai e ka cilësuar si të qëllimshëm arrestimin e tij, duke e ndërlidhur me figurën e kandidatit për kryeprokuror shteti, Blerim Isufaj. Për këto qëndrime, Kurti është akuzuar nga ligjvënësit opozitarë se po mbron një të dyshuar për përfshirje në korrupsion, i cili, sipas tyre, ka qenë zyrtar i Vetëvendosjes, shkruan Demokracia.com.

Arrestimi i kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, ishte bërë shkak që kryeministri Abin Kurti të drejtojë akuza të shumta kundër Prokurorisë dhe kandidatit për kryeprokuror të shtetit, Blerim Isufaj.
Në seancën e Kuvendit, në të cilën drejtori i KEK-ut ishte shndërruar në kryetemë diskutimesh pa qenë në rend dite, Kurti i ka dalë Krasniqit në mbrojtje, teksa ka thënë që në Prokurorinë e Shtetit ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes së tij.

Ai ka theksuar se në seancë plenare, opozita është duke ia bërë gjyqin “një njeriu që i ka sjellë mbi 100 milionë euro fitime KEK-ut”. Kurti, ndërkaq, e ka kualifikuar Prokurorinë si selektive, ndërsa ka thënë se ajo “me zellin e njëjtë nuk kanë vepruar edhe me dëshmitë e keqpërdorimeve të mëhershme”.

Këtë ai e ka ndërlidhur me figurën e Isufajt, aftësitë e të cilit i ka vënë në pikëpyetje.

“Bëhet fjalë për një prokuror që është i mirënjohur që rastin e vrasjes së Dino Asanajt e kategorizoi në vetëvrasje, ndërsa vetëvrasjen e Hamdi Sopës e shndërroi në vrasje. Njihet si prokuror që asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykata dhe pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror”, kishte thënë Kurti.

Duke u pëzier në çështje të drejtësisë, Kurti ka thënë se drejtësia në Kosovë lëngon shkaku që ka prokurorë të cilët nuk dinë dhe as nuk duan që të punojnë. Ndërkaq, ai ka shprehur bindjen se Isufaj nuk do ta marrë pozitën që synon, gjë që ia kishte bërë realitet më pas presidentja Osmani.

“Nuk është e rastësishme që prokurorët vrasjen ta bëjnë vetëvrasje dhe vetëvrasjen ta bëjnë vrasje. Duan të bëhen kryeprokurorë, por nuk do të munden. Jo pse jam unë, jo pse jeni ju, po pse në këtë shtet ka popull”, është shprehur Kurti.

Akuzat ndaj Prokurorisë, Kurti i kishte bërë pasi që deputetët nga subjektet opozitare e braktisën seancën.
Por, shefat e grupeve parlamentare që e dëgjuan fjalimin e tij jashtë sallës së Kuvendit, ishin kthyer sërish në sallë për të nisur polemika me Kurtin.

Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (PDK), kishte thënë se pushteti po e mbron një të dyshuar për përfshirje në korrupsion, i cili “qenë zyrtar i Vetëvendosjes”.

“Ekziston tashmë një siklet shumë i madh te ju dhe te grupi juaj parlamentar. Por, ta përkujtoj, që gjënë e parë që duhet ta bëni sot ju është që të mblidheni dhe ta shkarkoni Bordin e KEK-ut dhe ta lironi nga detyra kryeshefin që tashmë po mbahet në burg. Personi që po mbahet në burg, po mbahet edhe në detyrë nga pozicioni juaj”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kundërshtime rreth qëndrimit të Kurtit për Isufajn kishte shprehur edhe deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Hykmete Bajrami.

“Prokurori të cilin ju nuk e doni dhe po thoni se ai me çdo kusht dëshiron që të bëhet prokuror…, sikur të dëshironte me çdo kusht të bëhej prokuror, ai do të vinte me dosjen e Nagip Krasniqit në zyrën tënde dhe të bënte pazar. Por, përkundrazi, ai nuk po dëshiron të bëjë një gjë të tillë”, kishte deklaruar Bajrami.

Por, këtë pretendim, Kurti e ka kualifikuar si shembull në bazë të të cilit kanë vepruar qeveritë e mëhershme.

“Ama, ai e di që unë s’bëj pazare, ai ka ardhur te ju ashtu. Prandaj, ju e dini si bëhet kjo punë për t’u bërë dikush kryeprokuror. Te unë s’ka ardhur se e ka ditur se nuk ka se çka vjen”, është shprehur Kurti.

Nga opozita janë ngritur dyshime edhe për lidhje të mundshme të Krasniqit me rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i ka kërkuar kryeministrit Kurti që të distancohet nga kryeshefi i arrestuar i KEK-ut.

“Ajo që shihet dhe ajo që duket është se ky është vetëm fillimi. Dhe zinxhiri në emër të votave të juaja, në emër të 51-përqindëshit korruptiv, po shihet që nuk do të jetë i gjatë. Kërkesa ime për ju është: mos e mbroni qysh e keni mbrojtur aferën korruptive të Martin Berishajt”, kishte thënë Tahiri. /Demokracia.com/