Shërimet në spitalet private, nga shteti po shpenzohen miliona euro

- in Shëndetësi

Spitalet publike të Kosovës as pas dy dekadash nuk po arrijnë të ofrojnë të gjitha shërbimet shëndetësore për shërimin e  të sëmurëve.

Në anën tjetër shteti për çdo vit ndanë miliona euro të shtetit për shërimin e pacientëve në spitalet e huaja.

Edhe përkundër investimeve milionëshe në spitale, aty akoma nuk mund të kryhen shumë shërbime adekuate.

Pos mjeteve publike, miliona të tjera vetanake qytetarët shpenzojnë po ashtu për shërim jashtë vendit. Të vizitosh ndonjërin nga spitalet më në zë në vendet e rajonit do të shohësh dhjetëra për të mos thënë qindra kosoavarë duke kërkuar shërbime mjekësore.

Pasi që institucionet shëndetësore të Kosovës nuk kanë mundur të shërojnë qindra mijëra qytetarë të Kosovës, tash sa vjet ata kanë kërkuar shërim jashtë vendit.

Për shërimin e këtyre të sëmurëve institucionet e vendit kanë ndarë thuajse për secilin vit miliona euro.

Nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, tregojnë për Gazetën Sinjali, se numri i pacientëve të cilët kanë kërkuar mbështetje financiare për trajtimin e tyre jashtë institucioneve shëndetësore për periudhën janar-nëntor 2022, është 1 mijë e 14 persona.

Buxheti i ndare për këtë vit, për programin për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike është 7,270,000.00€.

Përfitues nga program për Trajtim Mjekësor Jashtë institucioneve Shëndetësore Publike, brenda periudhës Janar- Nëntor, janë: 719.

“Shtetet në të cilat pacientet kanë zgjedhur të marrin trajtimin e tyre mjekësor janë: Turqia; Kosova; Maqedonia; Shqipëria, si dhe vende tjera evropianë”, thonë nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore për Sinjalin.

Më tej nga FSSh-ja tregojnë se procedurat për përfitimin e përkrahjes financiare nga Programin për Trajtim Mjekësor Jashtë institucioneve Shëndetësore Publike  janë të përcaktuar me Udhëzimin Administrativ.

Derisa FSSh, gjatë vitit 2021 tregojnë se në kuadër të Programit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, kishte pranuar 1122 aplikacione, prej të cilave 451 kanë qenë të rregullta dhe 671  raste urgjente.

Nga FSSh-ja thonë se për vitin 2021 buxheti i ndarë nga Qeveria Republikës se Kosovës për programin për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike ishte 9,440,000€.

/GazetaSinjali/