Të shtënat te rrethi i Çagllavicës: Gjendet vetura prej ku u gjuajt me armë, identifikohet një i dyshuar

- in Lajme

Të mërkurën pas mesnate, te rrethi i Çagllavicës janë dëgjuar të shtëna me armë në drejtim të një veture ku ndodheshin disa të rinj. I dyshuari po ashtu ishte në një veturë në lëvizje në momentin kur shkrepi armën, po që nuk arriti ta qëllojë asnjërin nga viktimat, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në orët e para të 23 gushtit, kur Policia intervenoi në vendin e ngjarjes dhe gjeti tri gëzhoja.

Siç mëson Sinjali, deri më tash është identifikuar një person që dyshohet të jetë i përfshirë në rast dhe sipas informacioneve të para bëhet fjalë për B.Hasani.

Ndërsa tre viktimat, të moshave 20 e 21 vjeç kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë për rastin që iu ndodhi, me ç’rast bazuar në dëshmitë e tyre, ata nuk kanë informacione se cili mund të jetë motivi i incidentit.


 

Si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve hetimore, Policia ka arritur ta gjejë armën e zjarrit që dyshohet të jetë përdorur në rast, e po ashtu edhe veturën nga e cila u gjuajt me armë.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/