Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka dënuar ashpër djegien apo shkatërrimin e pronës së qytetarëve serbë të cilët po synojnë të marrin targat e veturave RKS sipas ligjeve të Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Hovenier ka thënë se SHBA këto veprime i konsideron frikacake dhe kriminale.
“SHBA-të dënojnë djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa të veturës RKS sipas ligjit të Kosovës. Këto janë vepra frikacake dhe kriminale”, ka deklaruar ai në ‘Twitter’.
Tutje, ai ka ritheksuar kërkesën e SHBA-së ndaj Qeverisë Kurti që të zgjasë periudhën e konvertimit të targave ilegale serbe në ato RKS.
We reiterate our request for a full extension of the implementation period so that RKS plates can be installed over the course of 12 months while affirming that Kosovo has the right to implement this change. 2/2
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) November 2, 2022
Policia e Kosovës ka njoftuar për djegien e edhe të një tjetër veture të një serbi nga Zubin Potoku, e cila kishte targat RKS.
“Njësitet relevante policore nga stacioni policor Zubin Potok, i janë përgjigjur menjëherë vendit të ngjarjes, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore si dhe kanë njoftuar ekipin e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë po ashtu në vendin e ngjarjes”, u tha në komunikatën e lëshuar nga PK.
Së fundmi janë raportuar edhe dy raste të tjera të djegies së veturave të kosovarëve të komunitetit serb, si pasojë e konvertimit të targave nga ilegale në ato RKS.
SHBA ka kërkuar, në bashkërendim me akterët e tjerë ndërkombëtarë, që të shtyhet afati për konvertimin e targave nga ilegale në ato RKS deri në shtator të vitit të ardhshëm.