Sërish rritje, sërish dyshime për çmimin

- in Lajme

Për disa ditë çmimi i naftës ishte ulur dhe kjo vinte pas rritjeve enorme të disa jave më parë. Mirëpo, sot në mëngjes kosovarët do ta blejnë litrin e naftës më shtrenjtë. Prej 1.59 centë për litër, sot çmimi ka shkuar në 1.69 centë. Kjo rritje duket e çuditshme, pasi ditën e djeshme veçse ka rënë çmimi i naftës në bursat botërore.

Avancimi i bisedimeve për paqe në mes Ukrainës dhe Rusisë dhe i ndërmjetësuar nga Turqia bëri që gjatë ditës së djeshme të stabilizohen tregjet botërore, përfshirë edhe tregtimin e naftës.

Momentalisht një barrel naftë po tregtohet me 106 dollarë, dhe ku vetëm brenda një dite pati rënie të çmimit për 6 dollarë.

Rritja e sotme e çmimit të naftës në Kosovë ka ngritur sërish dyshimet se mos po fiksohen çmimet nga tregtarët e naftës në Kosovë.

Rreth kësaj ka reaguar edhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ku përmes një komunikate për medie ngrisin dyshime se çmimi i naftës mund të jetë fiksuar nga tregtarët.

‘‘Sot në mëngjes ka pasur rritje të çmimit të derivateve të naftës. Paralajmërimet e kësaj ngjarjeje dhe sinkronizimi lënë hapësirë për dyshim në orkestrim të rritjes së çmimit’’, thuhet në reagimin e ministrisë.

Njoftimi tregon se inspektorët përkatës kanë dalë në teren dhe po monitorojnë situatën.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë tek autoritetet përkatëse për çfardo parregullsie që hasin.

‘‘Ministria i inkurajon qytetarët të adresojnë ankesat e tyre në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në çdo rast që gjykojnë se ka keqpërdorim, abuzim, në çdo pikë të shitjes që e hasin këtë problem’’, thuhet nga MINT./Nacionale