Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti nuk po arrijnë të kontrollojnë dhe të përmbajnë gjuhën e tyre kur pyeten për deklaratat e zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ashpërsia, ofendimet dhe akuzat që Osmani e Kurti kanë lëshuar mbi zyrtarët më të lartë amerikanë tejkalojnë kufijtë e një komunikimi normal, shkruan Demokracia.com.
OSMANI: AMBASADORI HILL PO OFENDON VIKTIMAT E SERBISË SË MILLOSHEVIQIT
Presidentja e Kosoës, Vjosa Osmani, ka folur me një gjuhë të ashpër dhe me një ton që shfaq nervozën ndaj një deklarate të ambasadorit amerikan, Christopher Hill, i cili, i ndikuar nga raportet e acaruara mes Qeverisë Kurti dhe ShBA-së, nga Beogradi dha një lajm të keq se aktualisht Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova.
Presidentja Osmani pa asnjë nevojë ka zgjedhur t’i reagojë kësaj deklarate. Madje, edhe atëherë kur ka vendosur që t’i reagoi ambasadorit amerikan, ajo nuk është treguar aspak e matur, duke ndjekur linjën përplasëse të Kurtit. Sipas Osmanit, me deklaratën e tij, Hill po ofendon viktimat e Serbisë së Millosheviqit.
“Serbia është është shtet që ka kryer krime lufte dhe akoma fle mbi varreza masive. Kështu që më lejoni të them troç: kushdo që e konsideron Serbinë që është shtet që është afër NATO-s nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkretë drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht i ofendon edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit”, ka deklaruar Osmani.
KURTI: SEKRETARI BLINKEN ËSHTË NAIV
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëjtë si Osmani, nuk kishte zgjedhur gjuhën as për të kundërshtuar hiç më pak se Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken. Atë e kishte kualifikuar si naiv.
Më 26 maj 2023, Sekretari Amerikan i Shtetit e kishte kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcat e njësisë speciale në ndërtesat komunale në veriun e Kosovës. Ai kishte thënë se vendimi ishte marrë “kundër këshillës” së ShBA-së dhe partnerëve evropianë dhe që vendimi ka “përshkallëzuar pa nevojë tensionet”.
Këtë deklaratë nuk e kishte pëlqyer aspak Kurti, i cili kishte reaguar me ashpërsi.
“Mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, kishte thënë Kurti për The Guardian, në një intervistë përmes telefonit më 30 maj 2023.
Sulmet, ofendimet dhe fushatat linçuese kundër përfaqësuesve të shtetit tjetër padyshim se ndikojnë në marrëdhëniet ndërshtetërore. Por, këtë fakt, kryeministri Albin Kurti nuk e mori asnjëherë parasysh kur në qendër të fjalimeve dhe deklaratave të tij ishin përfaqësuesit e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Në këtë valle, tani ka hyrë edhe presidentja Vjosa Osmani. /Demokracia.com/