Seancë e mbyllur në Speciale

- in Lajme

Seanca e radhës gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës, të martën po mbahet e mbyllur për publikun.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Christopher Bennett.

“Seanca e sotme po zhvillohet me dyer të mbyllur”, ka thënë Bennett për Albanian Post.

Në fund të muajit të kaluar, për tri ditë radhazi në seancë publike ka dëshmuar ish-shefi i misionit vëzhgues diplomatik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë (SHBA), Shaun Byrnes.

Gjatë dëshmisë së tij, Brynes ka thënë se nuk ka parë kurrë prova që Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka qenë i përfshirë në ndonjë krim.

“Më lejoni të jem i qartë, ne kurrë nuk kemi parë prova që Shtabi i Përgjithshëm, Thaçi, Veseli, Ramë Buja, Xhavit Haliti e të tjerë kanë qenë të përfshirë apo kanë urdhëruar rrëmbime apo ndonjë krim që ka ndodhur në terren”, ka potencuar ai.

Po ashtu, Byrnes në Dhomat e Specializuara të Kosovës konfirmoi se është në dijeni që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte bërë thirrje për ndalje të dhunës ndëretnike.

Ndryshe, Byrnes udhëhoqi Misionin Mbikëqyrës Diplomatik të Shteteve të Bashkuara i njohur si KDOM nga gushti i vitit 1998 deri në korrik të vitit 1999-s.

Ai ishte dëshmitar edhe në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi ku u akuzuan e gjykuan udhëheqës shtetërorë e ushtarakë serbë.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë./Demokracia