SBASHK-u për koeficientin: S’do ta dërgojmë në Kushtetuese ndonëse s’i plotëson pritjet tona

- in Lajme

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), ndonëse ka vlerësuar se vlera koeficientit prej 105 euro nuk plotëson pritjet e tyre duke marr në konsideratë situatën e vështirë ekonomike, nuk pretendon ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Pagat.

SBASHK-u, përmes një komunikate për media, ka theksuar se mangësitë eventuale të ligjit duhet të përmirësohen gjatë procesit të zbatimit të këtij ligji.

“Ky rangim ka bërë që vlera e koeficientit prej 105 eurosh të mos i plotësojë pritjet tona, por ajo mundëson që mbi 90% e anëtarësisë tonë kanë një rritje page mesatare rreth 100 euro”.

“Pra, SBASHK-u nuk ka ndërmend të dërgojë ankesë te Avokati i Popullit për ta dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet më tej në komunikatë.

Me qëllim të informimit të saktë të anëtarësisë dhe opinionit të gjerë, SBASHK-u ka sqaruar se nuk ka pasur asnjë konsultë për caktimin e vlerës së koeficientit dhe as nuk është kërkuar një gjë e tillë nga asnjë organ.

Çfarë është koeficienti?

Pagat në sektorin publik merren sipas koeficientit që është i ndarë për pozita të caktuara.

Nëse vlera e 1 koeficienti është 105 euro, atëherë paga e një punëtori shumëzohet mes kësaj vlere dhe numrit të koeficientit.

Nëse pozita e caktuar ka koeficientin 5, atëherë paga është 5 x 105, e kështu me radhë.

 

Këto janë koeficientet për të gjithë punëtorët e sektorit publik

Paga më e lartë do të jetë ajo e presidentit me koeficientin 18, apo 1 mijë e 890 euro.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të ketë koeficient 17.5 ndërsa 17 do të jetë koeficienti për postin e kryeparlamentarit dhe kryeministrit.

Deputetët dhe ministrat do të kenë pagë të barabartë, me koeficient 16.4.

Sa i përket kryetarëve të komunave, ai i kryeqytetit do të ketë pagë me koeficient 15, ndërsa pagat e të tjerëve do të dallojnë varësisht prej numrit të qytetarëve që kanë ato komuna.

Paga për kryetarin e Gjykatës Supreme do të jetë në koeficientin 17, kurse koeficienti te gjyqtarët do të sillet prej 15.5 deri në 12 për gjyqtarin e Themelores dhe të dhomës së shkallës së parë të Komerciales.

Në Prokurori, paga e kryeprokurorit do të jetë me koeficientin 17, ndërsa prokurorët e përgjithshëm në Themelore do të kenë pagë me koeficient 12.

Koeficientin 15 e ka komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa 14.5 e ka drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Sipas Ligjit për buxhetin e vitit 2023, i miratuar po ashtu në dhjetor të vitit të kaluar, buxheti i përgjithshëm për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro.

Vlera e koeficientit ishte mbajtur e fshehur për një kohë shumë të gjatë asnjëri prej punëtorëve në sektorin publik nuk ishte informuar se sa do ta ketë pagën.

Nga secila kategori kishin thënë për Albanian Post se vlerën e koeficientit e presin që të jetë 130 euro, nëse kjo vlerë do të ishte më e ulët të njëjtit kanë paralajmëruar protesta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com