SBASHK: Nesër mos i nisni fëmijët në shkollë, mësimdhënësit janë në protestë

- in Lajme

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka njoftuar se të premten nuk do të mbahet mësimi, për shkak se mësimdhënësit do të protestojnë, raporton Gazeta Sinjali.

Në njoftim u bëhet apel prindërve që mos t’i nisin fëmijët në shkollë, pasi që nuk do të ketë personel arsimor.

Po ashtu apelojmë të prindërit që për hir të sigurisë së fëmijëve të tyre nesër mos t’i nisin për në shkollë sepse  shkollat janë pa personelin arsimor , të cilët pa fajin e tyre janë të detyruar  të protestojnë  në përpjekje për realizimin e kërkesave të tyre”, thuhet në njoftim.

Në këtë komunikatë theksohet se vendimi për protestë është marrë mbrëmë nga një takim i mbajtur me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve.

Gjithashtu lutet Qeveria që të reflektojë, në të kundërtën SBASHK deklaron se do të shkojë drejt veprimeve edhe më radikale.

Njoftimi i plotë i tyre:

Duke u bazuar në vendimin e federatave sindikale  në kuadër të BSPK-së, në orët e mbrëmjes së të mërkurës  është mbajtur takim i jashtëzakonshëm i SBASHK-ut me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve. Pas një debati konstruktiv është rikonfirmuar  se në protestën e thirrur më 20 maj nga BSPK-ja e bazuar në zërin e anëtarësisë  do të marrin pjesë në mënyrë masive edhe të punësuarit  në sektorin e arsimit.  Duke u bazuar në këtë  pjesëmarrësit në takimin e jashtëzakonshëm  të SBASHK-ut kanë sjellë  vendim që të premten shkollat nuk punojnë sepse   punëtorët arsimorë me kohë do të nisen nga vendbanimet e tyre për t’u bërë pjesë e protestës.

SBASHK-u shpreh keqardhje  për gjendjen e krijuar  e cila është pasojë e mungesës së gatishmërisë së Qeverisë për dialog dhe për angazhim në zgjidhjen e kërkesave legjitime të  punëtorëve në arsim, që nga çerdhet e deri në Universitete e kulturë, por edhe në sektorët tjetër. Përfaqësuesit e Këshillave të prindërve  i ftojmë të jenë  pjesë e protestës sonë me qëllim që të forcohet zëri i përbashkët  drejtuar Qeverisë që  të dialogojë me sindikatat  dhe të angazhohet për zgjedhjen e kërkesave të tyre legjitime. Po ashtu apelojmë të prindërit që për hir të sigurisë së fëmijëve të tyre nesër mos t’i nisin për në shkollë sepse  shkollat janë pa personelin arsimor,

të cilët pa fajin e tyre janë të detyruar të protestojnë në përpjekje për realizimin e kërkesave të tyre . Në këtë protestë do të jenë edhe anëtarësia e SBASHK-ut nga të gjitha Universitetet e Kosovës, kurse nga anëtarësia jonë në çerdhe kërkojmë mirëkuptim në mënyrë që puna atje të mos ndalet nesër, por përfaqësues nga këto institucione të marrin pjesë në protestë pa e cenuar rrjedhën e procesit të punës në çerdhe.

Të lutemi bashkë që Qeveria të reflektojë dhe të mos kemi arsye të shkojmë drejt veprimeve edhe më radikale.

/GazetaSinjali/